Vetëm 37 vjeç, por Chen Zhi akuzohet si “gjeniu pas një perandorie të gjerë mashtrimi kibernetik…një sipërmarrje kriminale e ndërtuar mbi vuajtjet njerëzore”, shkruan BBC.
Me mjekrën si cjap dhe tiparet e buta, ai duket më i ri nga sa është. Është bërë shumë i pasur në një kohë shumë të shkurtër.
Javën e shkuar, Departamenti amerikan i Drejtësisë e akuzoi për veprimtari në qendrat e mashtrimit në Kamboxhia që vodhën miliarda dollarë në kriptomonedha nga viktima në të gjithë botën. Departamenti i Thesarit konfiskoi 14 miliardë dollarë në Bitcoin që thotë se lidhen me të dhe është sasia më e madhe ndonjëherë e kapur në kriptomonedha.
Kompania e tij, Cambodian Prince Group, në faqen zyrtare e përshkruan si “sipërmarrës të respektuar dhe filantropist të njohur”, “vendimi dhe udhëheqja e të cilit e kanë transformuar Cambodian Prince Group në një grup biznesi lider në Kamboxhia që përputhet me standardet ndërkombëtare.”
Por çfarë dimë për imazhin misterioz të Chen Zhi?
I rritur në provincën Fujian në Kinë, ai kishte një biznes të vogël lojërash online para se të zhvendosej në Kambixhia në vitet 2010-2011, kur tregu i pasurive të paluajtshme u rrit.
Në vitin 2015, Zhi themeloi Prince Group, një perandori pronash. Në vitin 2014 mori nënshtetësinë kamboxhiane dhe duke investuar rreth 250 mijë dollarë, në fund të të njëzetave të tij kishte ndërtuar hotele, qendra tregtare dhe linjën e tretë ajrore të Kamboxhias.
Ishte një ngritje e shpejtë. Në vitin 2018 siguroi një licencë bankare, mori nënshtetësinë e Qipros dhe Vanuatu dhe nisi një projekt 16 miliardë dollarë për një qytet ekologjik, “Bay of Lights.” Në vitin 2020, mbreti i Kamboxhias i dha titullin elitar “Neak Oknha” për të cilin duhen dhurime 500 mijë dollarëshe në arkën e shtetit. Ai shërbeu edhe si këshilltar pranë zyrtarëve të lartë si ish-kryeministri dhe djali i tij.
Edhe pse i njohur për filantropinë dhe profesionalizmin e heshtur, “shumë i sjellshëm, shumë ui qetë, shumë i përmbajtur”, pasuritë e tij ishin të pamatshme, thotë gazetari Jack Adamovic Davies, i cili e hetoi për tre vjet çështjen. Sqarimi i Zhi për një dhuratë 2 milionë dollarëshe nga një i afërm nuk u verifikua kurrë.
Ndërsa ndalimi i kumarit në Kamboxhia në vitin 2019 e shembi tregun e pronave, Chen vijoi të zgjerohej pa asnjë shpjegim. Hetuesit amerikanë dhe britanikë thanë se pasuria e tij buronte nga mashtrimet online, edhe me materiale seksuale, pastrimet e parave, korrupsioni, kumari i paligjshëm online, tortura dhe trafikimi njerëzor që ndodhte në të paktën 10 qendra në Kamboxhia.
Në sanksione, përshkruhet rrjeti i kompanive guaskë dhe portofolëve të kriptomonedhave përmes të cilëve lëviznin paratë që të fshihej origjina e tyre.
Sanksionet nga dy vendet i bllokuan asetet, përfshirë rezidencën 12 milionë paundëshe në Londër, një bllok zyrash prej 95 milionësh dhe prona në Neë York. Edhe Kina ka thënë se ka bërë hetimet e saj.
Dëshmitarë kanë folur për Radio Free Asia për dhunën dhe punën e detyruar në qendrat e lidhura me Prince. “Shkalla e veprimtarisë së tij e dallon vërtet Chen Zhi. Ai nuk duhet të kishte mundur kurrë t’i kishte këto asete dhe ata as nuk e vunë në dyshim”, thotë Davies.
Pas sanksioneve, bankat ngrinë llogaritë, qeveritë hapën hetime dhe bizneset nxituan që të distancoheshin. Banka qendrore e Kamboxhias i siguroi klientët se fondet ishin të sigurta, kurse autoritetet i kërkuan amerikanëve e britanikëve që të siguroheshin që provat e tyre ishin të sakta.
Por elita e Kamboxhias është e përfshirë thellë në Prince Group dhe shkëputja do të jetë e vështirë.
Sa për Chen Zhi? Nuk është parë e dëgjuar gjë prej tij që prej vendosjes së sanksioneve javën e shkuar. Miliarderi enigmatik, dikur një nga figurat më të fuqishme në Kamboxhia, duket se është zhdukur.








