11 persona mbetën të vdekur nga masakra në Austri, përfshirë edhe një vajzë nga Kosova, si pasojë e një sulmi me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë.
Sulmi tragjik ka tronditur opinionin publik në këtë vend të njohur për sigurinë dhe standardet e larta të kontrollit të armëve.
Rina Demjaha, mjeke specializante në Departamentin e Neurologjisë në Universitetin e Grazit, ka folur lidhur me ngjarjen.
Ajo konfirmoi se spitali publik i Grazit dhe i gjithë universiteti janë mobilizuar për të trajtuar të plagosurit dhe për të përballuar pasojat e sulmit. Mjekja shtoi se identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike.
“Sot është mobilizuar i gjithë universiteti dhe spitali publik i Grazit, ku kanë ardhur viktimat dhe të plagosurit nga vendi i ngjarjes. Austria deri më tani është njohur si një nga vendet më të sigurta, me një kontroll të lartë dhe vetëdijesim të lartë të popullsisë. Këto lloj sulmesh nuk janë pritur, ndaj edhe i gjithë populli është i tronditur nga kjo ngjarje e rëndë”, u shpreh Demjaha.
Ajo tha se sipas informacioneve të deritanishme, autori i dyshuar i sulmit është një shtetas austriak, ish-nxënës i shkollës ku ndodhi tragjedia, por që nuk kishte diplomuar atje.
“Identiteti i tij është bërë publik, ndërkohë që identiteti i viktimave ende nuk është zbuluar, pasi autoritetet po vazhdojnë hetimet”, tha mjekja.
Demjaha u shpreh gjithashtu se motivet e sulmit mbeten të paqarta dhe nuk ka ende një informacion konkret për shkaqet që çuan në këtë tragjedi.






