Sulmi terrorist në Australi i cili ndodhi pasditen e së dielës në një nga plazhet më të njohura të vendit, gjatë festimit të Hanukkah, deri më tani raportohet për 12 persona të vrarë, përfshirë një nga autorët, dhe 29 të plagosur. Ky është sulmi më vdekjeprurës në vend që nga prilli i vitit 1996, kur 35 persona u vranë dhe 23 u plagosën në një sulm me armë në Port Arthur, Tasmani.
Raportohet se rreth 1,000 njerëz kanë qenë në plazh kur terroristët e armatosur hapën zjarr, duke qëlluar me breshëri për më shumë se 10 minuta, ndërsa pamjet nga vendi i ngjarjes janë tronditëse, megjithëse kishte oficerë policie aty pranë.
Në video shihen dy terroristët, teksa njëri prej të cilëve kishte një pushkë gjahu, duke qëlluar nga një urë drejt njerëzve, përfshirë fëmijë të vegjël.
Një i mbijetuar izraelito-australian tha se të shtënat vazhduan për 20 minuta.
“Njëzet minuta me katër policë atje, askush nuk u përgjigj me zjarr. Asgjë, sikur ishin të ngrirë”, tha dëshmitari, i cili tregoi se mbuloi fëmijët e tij me trupin e tij ndërsa shikonte ngjarjen e tmerrshme.
“Katër policë atje nuk u përgjigjën me zjarr. Nuk e kuptoj pse. Ata po shënjestronin të gjithë hebrenjtë. Burrat, të moshuarit, fëmijët, të gjithë. Nuk ka rëndësi”, u shpreh ai.
Vetëm kur një shitës frutash vendas, në një përpjekje heroike çarmatosi një nga terroristët, policia u shfaq për t’iu kundërpërgjigjur zjarrit.
Njëri nga terroristët, i veshur me të zeza, bie papritmas përtokë. Terroristi tjetër shihet më vonë i rrethuar nga oficerët e policisë ndërsa bërtet “mos qëlloni”.
Një video tjetër tregon një të mbijetuar i cili shqelmon autorin e dyshuar në kokë ndërsa ai është shtrirë në tokë me pranga, përpara se policia ta shtyjë.
Pamjet e mëtejshme tregojnë një hero që çarmatos një nga terroristët përpara se t’i drejtojë armën e tij.
Një video e postuar në rrjetet sociale filmoi një burrë duke u fshehur pas makinave përpara se të sulmonte njërin prej personave të armatosur, duke i rrëmbyer armën nga duart dhe duke ia drejtuar atij teksa largohej me makinë.
Narvid Akram, një burrë nga Bonnyrigg e Sidneit, është identifikuar si një nga personat e armatosur, raportoi ABC, duke cituar një burim të lartë të paidentifikuar policor. Autoritetet thuhet se bastisën shtëpinë e Akramit pas të shtënave.
Policia njoftoi se njëri nga personat e armatosur ishte në listën e mbikëqyrjes së Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO), por nuk konsiderohej një “kërcënim i menjëhershëm”.
Policia tha gjithashtu se nuk kishte kërcënim aktiv, por i paralajmëroi njerëzit të qëndronin larg zonës ndërsa po punonin për të çaktivizuar disa pajisje shpërthyese të improvizuara. Pajisjet u gjetën të shpërndara përreth zonës së të shtënave dhe brenda makinës së të dyshuarve për terrorizëm.
Kryeministri australian Anthony Albanese dënoi ashpër sulmin teksa e cilësoi si të neveritshëm dhe një moment të errët për kombin.
“Ky është një sulm i synuar kundër australianëve hebrenj në ditën e parë të Hanukkah, e cila duhet të jetë një ditë gëzimi, një festë besimi”, tha Albanese në një konferencë për shtyp në Canberra.
“Një akt antisemitizmi satanik, terrorizmi që ka goditur në zemër të kombit tonë. Një sulm ndaj australianëve hebrenj është një sulm ndaj çdo australiani dhe çdo australian sonte do të jetë, ashtu si unë, i shkatërruar nga ky sulm ndaj mënyrës sonë të jetesës. Nuk ka vend për këtë urrejtje, dhunë dhe terrorizëm në kombin tonë. Më lejoni të jem i qartë, ne do ta zhdukim atë”, shtoi ai.
Ndërsa presidenti izraelit Isaac Herzog e cilësoi tragjedinë një sulm mizor ndaj hebrenjve.






