Gazetari i FAZ e krahason deklaratën e presidentes me qasjen e Viktor Orbanit, duke e cilësuar si përpjekje për afrim politik para zgjedhjeve.
Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ka vazhduar kritikat ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me ambicien e saj për t’u rizgjedhur presidente dhe mënyrën se si, sipas tij, ajo po përpiqet të paraqitet si e afërt me ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Përmes një postimi ironizues në platformën X, Martens ka komentuar deklaratën e Osmanit se Trump duhet të jetë kandidat për Çmimin Nobel për Paqe. Sipas tij, një qëndrim i tillë ngjan me qasjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili gjithashtu, para zgjedhjeve në vendin e tij, është parë duke kultivuar marrëdhënie të afërta me Trumpin.
“Trumpi është thjesht Trump dhe shpërndan një video ku Barack dhe Michelle Obama paraqiten si majmunë. Ndërkohë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, një udhëheqëse largpamëse me integritet të shkëlqyer moral, sugjeron, siç bëri Orban para saj, që Trump duhet të marrë Çmimin Nobel për Paqen”, ka shkruar Martens.
Ai e ka vazhduar postimin me tone ironike, duke thënë se shumë njerëz në vende të ndryshme mund të mos ndajnë të njëjtin entuziazëm për një vlerësim të tillë ndaj Trumpit. Martens përmend Ukrainën, Danimarkën, Grenlandën, Kanadanë, Poloninë dhe familjarë të personave të prekur nga politikat e emigracionit në SHBA, duke sugjeruar se këto realitete bien ndesh me idenë e dhënies së një çmimi për paqe.
Në fund, ai shton me sarkazëm se vendimi i Osmanit për ta mbështetur një propozim të tillë duket si “zgjedhje e mirë”, duke lënë të kuptohet se e sheh këtë si një kalkulim politik më shumë sesa qëndrim parimor.








