Gazetari Nehat Shaqiri ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Nisma Socialdemokrate janë duke diskutuar mundësinë e një bashkëpunimi zgjedhor.
Sipas Shaqirit, burime të sigurta brenda LDK-së kanë konfirmuar se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, Nisma Socialdemokrate pritet të futet në listën zgjedhore të LDK-së.
“Burime të sigurta brenda LDK-së më kanë konfirmuar javën e kaluar se, nëse vendi shkon në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta marrë Nismën Socialdemokrate në listën e saj zgjedhore,” ka shkruar Shaqiri.
Ai shton se qëllimi i LDK-së është që të marrë vota në komunën e Malishevës dhe të dalë partia e dytë në nivel vendi, përpara PDK-së.
“Takimi që është zhvilluar sot mes Lumir Abdixhikut dhe Fatmir Limajt lidhet pikërisht me këtë çështje, ku është diskutuar mundësia e një marrëveshjeje që Nisma të garojë në listën e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme,” ka theksuar më tej gazetari Shaqiri.
Ky takim, sipas burimeve, shihet si hap strategjik i LDK-së për të rritur përkrahjen në zonat ku tradicionalisht Nisma ka pasur ndikim politik, veçanërisht në komunën e Malishevës.









