Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes bashkëpunimit të zgjeruar ndërmjet institucioneve përkatëse.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas takimit që ka zhvilluar me Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneral Major Stephen Osborn.
Sipas Maqedoncit, në takim është diskutuar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror.
Ai ka theksuar se është vënë në pah rëndësia e partneritetit të deritanishëm, si dhe është dakorduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë trajnimet, stërvitjet e përbashkëta dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOWA-s mbetet një ndër shtyllat kryesore në ngritjen e kapaciteteve tona operacionale dhe ndërveprueshmërisë me partnerët strategjikë”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka falënderuar Gjeneral Osborn dhe përmes tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe forcimit të ushtrisë së saj.









