Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar me tone të forta ndaj përpjekjeve të vazhdueshme të presidentit amerikan Donald Trump për të kontrolluar territorin strategjik të Groenlandës.
Gjatë një fjalimi në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e oqeaneve në qytetin bregdetar të Nicës, Macron deklaroi: “Groenlanda nuk është për t’u marrë me vete, as Antarktida apo deti i thellë nuk janë në shitje.”
Deklarata vjen pak para vizitës së Macron në Groenlandë të dielën, ku do të takohet me Kryeministrin e territorit autonom Jens-Frederik Nielsen dhe Kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen, për të diskutuar sigurinë në Atlantikun e Veriut dhe Arktik, ndryshimet klimatike, energjinë dhe mineralet kritike.
Që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka shprehur disa herë dëshirën për të marrë nën kontroll këtë ishull të pasur me burime natyrore, duke provokuar reagime të shumta ndërkombëtare. Macron theksoi rëndësinë e mbrojtjes së rendit ndërkombëtar dhe të bashkëpunimit shumëpalësh, veçanërisht pas tërheqjes së SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për klimën.
“Për të fituar betejën për oqeanet, ne duhet të ringjallim multilateralizmin,” tha Macron, duke e kthyer sërish vëmendjen te nevoja për bashkëpunim global përballë sfidave mjedisore dhe gjeopolitike.








