Ardita Hasani, ish-bashkëshortja e vëllait të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë një denoncim në polici ku ka përmendur edhe vetë deputetin.
Hasani ka deklaruar se pas 27 viteve martesë, bashkëshorti i saj e ka përjashtuar nga shtëpia dhe ka nisur procedurën e divorcit pa dijeninë e saj. Ajo pretendon se nuk është ftuar kurrë nga gjykata për seancë dhe se nënshkrimi i saj në ftesë është falsifikuar. Sipas saj, procesi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe më shpejt se sa e lejon ligji.
Në denoncim, Hasani ka akuzuar Lutfi Hazirin se ka ndikuar në procesin e divorcit me qëllim që, pas ndarjes, pasuria e familjes të kalojë në emrin e tij. Ajo ka thënë se dyshon që Haziri e ka bartur shtëpinë ku çifti ka jetuar në emrin e vet dhe se qëllimi mund të jetë përfitimi i pronës pas vdekjes së vëllait të tij.
Të njëjtat dyshime i ka paraqitur edhe djali i çiftit, i cili ka deklaruar se babai i tij ka bashkëpunuar me Lutfi Hazirin për ta larguar nënën nga shtëpia dhe për të transferuar pronën në emër të deputetit.
Lutfi Haziri, ka reaguar pas pretendimeve të bëra nga ish-kunata e tij dhe nipi.
Ai i ka mohuar kategorikisht këto pretendime. Në një deklaratë ai ka theksuar se nuk ka qenë i përfshirë në procesin e divorcit të vëllait.
“Vëllai im, ka kerkuar divorcin përmes gjykatës dhe është i përgjigjur procesit përmes avokatit të tij. Ky është vendimi vetëm i tij dhe askush nuk ka mundur të ndërhyjë. Për ne, nuk ka asgjë më të rëndësishme në këtë fazë se shëndeti i tij. Ne, në asnjë mënyrë, nuk jemi të përfshirë në divorcin e vëllait”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, prona për të cilën po flitet nuk është e vëllait, por e prindërve të tyre, ndërsa me vendim të motrave dhe vëllezërve, ai është caktuar si bartës i saj.
“Prona është e prindërve dhe Nëna jeton në Zurich të Zvicrës dhe Kosovë. Trashëgimia e prindërve është e rregulluar tash e dhjetë vite mes trashëgimtarëve dhe nuk ka asgjë për t’u rishikuar. Për ne, ka rëndësi familja e jo prona. Asnjëherë e në asnjë formë dhe rast unë nuk jam involvuar në rastin e vendimit apo divorcit të vëllait. Ju njoftoj se bartës i trashëgimisë së prindërve jam unë, me vendimin e prindërve, vëllezërve dhe motrës”, ka përfunduar ai.









