Lëvizja për Rikthim ka bërë publike një letër drejtuar ambasadorëve të vendeve të Quint-it në Kosovë, ku ngre shqetësime për presionin ideologjik, cenimin e lirisë së ndërgjegjes dhe rrezikimin e orientimit perëndimor të vendit.
Sipas OJQ-së, anëtarë dhe mbështetës të saj janë përballur me kërcënime dhe gjuhë urrejtjeje për shkak të rikthimit në rrënjët e tyre të krishtera.
Lëvizja po ashtu kërkon angazhim institucional dhe dialog me aktorët politikë e fetarë për mbrojtjen e rendit laik, paqes shoqërore dhe vlerave perëndimore të Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Lëvizja për Rikthim bën publike këtë letër drejtuar ambasadorëve të vendeve të Quint-it në Republikën e Kosovës, ku ngre shqetësime serioze për presionin ideologjik, cenimin e lirisë së ndërgjegjes dhe rrezikimin e orientimit perëndimor të Kosovës.
Lëvizja për Rikthim
Organizata Joqeveritare (OJQ)
Republika e Kosovës
Drejtuar: Ambasadorëve të vendeve të Quint-it
(Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia)
Në Republikën e Kosovës
Subjekti: Shqetësime mbi presionin ideologjik, lirinë e ndërgjegjes dhe orientimin perëndimor të Kosovës
Të nderuar Ambasadorë,
Ju drejtohemi në cilësinë tonë si organizatë joqeveritare, Lëvizja për Rikthim, e angazhuar për paqen shoqërore, lirinë e ndërgjegjes, ruajtjen e identitetit kulturor-historik të shqiptarëve dhe orientimin e qartë perëndimor të Republikës së Kosovës.
Me këtë letër dëshirojmë të shprehim shqetësime serioze lidhur me zhvillimet e fundit në shoqërinë kosovare, veçanërisht rritjen e ndikimit të islamit politik dhe ideologjik në jetën publike, diskursin politik dhe marrëdhëniet shoqërore.
Kosova është ndërtuar dhe njohur ndërkombëtarisht si një shtet laik, qytetar dhe pluralist, ku liria e besimit, e mosbesimit dhe e zgjedhjes fetare është e garantuar me Kushtetutë. Këto parime përbëjnë themelin e rendit demokratik dhe të orientimit perëndimor të shtetit tonë.
Megjithatë, jemi dëshmitarë të një klime gjithnjë e më shqetësuese të presionit ideologjik dhe frikësimit shoqëror, veçanërisht ndaj qytetarëve shqiptarë që po ushtrojnë në mënyrë paqësore dhe të ligjshme të drejtën e tyre për t’u rikthyer në rrënjët e tyre kulturore dhe historike të krishtera, përfshirë edhe aktin e pagëzimit.
Pagëzimi është një shprehje e mbrojtur e lirisë së ndërgjegjes dhe, për shumë shqiptarë, përfaqëson një rikthim identitar dhe historik në rrënjët autentike perëndimore të popullit shqiptar.
Pavarësisht kësaj, anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes për Rikthim, përfshirë individë të pagëzuar dhe familjet e tyre, janë bërë objekt i kërcënimeve, frikësimeve, gjuhës së urrejtjes, bullizmit publik dhe fushatave të koordinuara të presionit në hapësirat publike dhe mediatike. Këto veprime nuk vijnë vetëm nga individë anonimë, por edhe nga përfaqësues publikë të islamit politik në Kosovë, duke përbërë një rrezik real për lirinë e ndërgjegjes, sigurinë personale dhe paqen shoqërore.
Njëkohësisht, shprehim shqetësim për rritjen e investimeve ideologjike të huaja që synojnë të ndikojnë shoqërinë kosovare në kundërshtim me rendin kushtetues laik dhe orientimin e saj perëndimor, me pasoja afatgjata për stabilitetin shoqëror.
Në këtë kontekst, përveç mirëkuptimit tuaj për këtë nismë, e cila ndërmerret nga shumë qytetarë në Kosovë jo vetëm si akt personal, por edhe si akt kombëtar, kërkojmë edhe angazhimin dhe aktivizimin tuaj institucional. Po ashtu, kërkojmë ndikimin tuaj përmes dialogut me partitë politike ku janë të pranishëm ideologë të islamit politik, të cilët po nxisin këtë agresivitet, si dhe me organizmat qeveritare, institucionet shtetërore, mediat dhe vetë Bashkësinë Islame. Jemi mirënjohës për mirëkuptimin dhe ndihmën që, me të drejtë, presim nga ju.
Dëshirojmë të jemi plotësisht të qartë: Lëvizja për Rikthim nuk është kundër besimit personal të askujt dhe nuk synon konflikt fetar. Ne mbrojmë të drejtën e çdo individi për të zgjedhur lirisht besimin ose mosbesimin e tij. Ajo që kundërshtojmë është çdo përpjekje për ta shndërruar islamin politik apo sheriatik në projekt shoqëror, politik apo shtetëror në Kosovë, në kundërshtim me rendin kushtetues dhe orientimin perëndimor të shtetit.
Angazhimi ynë është për një Kosovë paqësore, demokratike dhe funksionale, të ankoruar fort në vlerat dhe partneritetet perëndimore, si dhe për njohjen e rrënjëve autentike kulturore, historike dhe të krishtera të popullit shqiptar si pjesë integrale e qytetërimit perëndimor.
Duke shfrytëzuar rastin e festave të fundvitit, Lëvizja për Rikthim, si një lëvizje e angazhuar për rikthimin në fenë e të parëve tanë katolikë, ju uron Krishtlindje të Bekuara dhe një Vit të Ri të mbarë, me paqe, shëndet dhe suksese në misionin tuaj diplomatik.
Mbetemi të hapur për dialog institucional dhe bashkëpunim në interes të paqes, lirisë, sigurisë dhe stabilitetit demokratik në Kosovë.








