Veprimtari Saim Tahiraj ka reaguar pas deklaratës së Fatos Gecit, duke kritikuar ashpër kundërpërgjigjet që kanë ardhur nga i ashtuquajturi “krah i luftës”.
Tahiraj ka thënë se disa persona po sillen sikur “pronësia e luftës u përket atyre”, duke ngritur disa pyetje për rolin e familjes Geci gjatë luftës së UÇK-së, përfshirë pjesëmarrjen e tyre, plagosjet dhe humbjet në mesin e bashkëluftëtarëve.
Ai ka theksuar se Fatos Geci nuk ka akuzuar UÇK-në si organizatë, por një individ të caktuar, duke shtuar se familja Geci, sipas tij, ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se sulmet ndaj tyre janë “pa bazë dhe shpifje”.
Reagimi i Tahirajt:
Reagime të shumta pati nga i ashtuquajturi “krah i luftës” kundër deklaratës së Fatos Gecit. Thua se pronësinë e luftës ua ka lënë baba me tapi.
Së pari, të tillët duhet ta dinë se sa pjesëtarë në luftë pati familja Geci.
Së dyti, duhet ta mësojnë se kush e shkroi komunikatën 59 dhe cilat ishin pasojat e saj.
Së treti, sa anëtarë të familjes Geci janë plagosur dhe nga kush?
Së katërti, sa shokë dhe bashkëluftëtarë të Gani Gecit janë vrarë, nga kush dhe cila është arsyeja?
Pasi t’i mësojnë të vërtetat e këtyre pyetjeve, atëherë le të dalin dhe ta vlerësojnë deklaratën e Fatos Gecit.
Fatos Geci nuk e akuzoi UÇK-në, por një person. Familja Geci është vetë UÇK-ja, andaj çdo sulm ndaj tyre nuk ka bazë, por vetëm shpifje dhe hipokrizi









