Miratimi i propozimit të kryeministrit izrealit Benjamin Netanyahu për të pushtuar qytetin e Gazës nga Kabineti i Sigurisë, po bën bujë në mediat ndërkombëtare për rrezikun e lartë se çfarë mund të ndodhë në Lindjen e Mesme në javët në vazhdim.
Që nga fillimi i luftës, IDF ka shmangur hyrjen në pjesën më të madhe të qytetit. Operacioni do të kërkojë evakuimin e zonës ku aktualisht jetojnë afërsisht një milion banorë të Rripit.
“Kabineti Politik dhe i Sigurisë miratoi propozimin e kryeministrit për mposhtjen e Hamasit. IDF do të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit. Një shumicë absolute e ministrave të kabinetit besonin se plani alternativ i paraqitur nuk do të çonte as në mposhtjen e Hamasit dhe as në kthimin e pengjeve”, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Deklarata e lëshuar në përfundim të takimit thotë se “Kabineti i Sigurisë miratoi me shumicë dërrmuese pesë parimet për përfundimin e luftës: çmontimin e arsenalit të Hamasit; kthimin e të gjithë pengjeve, si të gjallëve ashtu edhe të vdekurve; demilitarizimin e Rripit të Gazës; kontrollin e sigurisë izraelite mbi Rripin; dhe krijimin e një administrate civile alternative, as të Hamasit dhe as të Autoritetit Palestinez”.

Kabineti i sigurisë i Izraelit miraton planin e Netanyahut për të pushtuar qytetin e Gazës
Gjatë takimit, Shefi i Shtabit Eyal Zamir shprehu kundërshtim ndaj planit : “Nuk ka përgjigje humanitare për 1 milion njerëz që do të zhvendosim në Gaza. E gjitha do të jetë jashtëzakonisht komplekse. Unë propozoj heqjen e objektivit të kthimit të pengjeve nga objektivat e luftës”.
Përpara votimit të kabinetit protesta shpërthyen në disa qytete izraelite, dhe familjet e pengjeve në Gaza e kritikuan ashpër zgjerimin e propozuar të luftës si një “dënim me vdekje”.

Një pjesë e Gazës gjatë një shpërndarjeje ndihmash humanitare nga ajri/ AP
Sipas OKB-së, ka pasur një rritje të kequshqyerjes midis fëmijëve të Gazës, pasi vetëm një sasi e vogël ndihmash po hyn në Rrip.
Po çfarë përfshin “Plani Netanyahu” për pushtimin e Gazës?
Plani, i propozuar nga Netanyahu dhe i diskutuar në takim, përfshin rrethimin e Qytetit të Gazës dhe zhvendosjen e rreth një milion banorëve në pjesën jugore të enklavës.
Një zyrtar i lartë izraelit i tha më vonë gazetës The Jerusalem Post se ushtria do të “shënjestrojë fortesat terroriste në qytet”, me operacione që më vonë do të zgjerohen në kampet qendrore të refugjatëve. Operacioni pritet të zgjasë të paktën gjashtë muaj.
Nuk është e qartë pse deklarata i referohet vetëm pushtimit të Qytetit të Gazës dhe jo të të gjithë Rripit të Gazës, siç tha Netanyahu të enjten se ishte plani i tij.
Qyteti i Gazës është pjesë e 25 përqind të Rripit të Gazës që Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk e kanë pushtuar ende, së bashku me disa kampe refugjatësh në Gazën qendrore.
Këto janë zona ku Izraeli beson se mbahen pengjet e mbetura, dhe Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, ka shprehur kundërshtim ndaj operacionit të propozuar të Netanyahut, nga frika se kjo do të rrezikonte robërit.
Izraeli do të ofrojë ndihmë humanitare për civilët jashtë zonave të luftimit, tha zyra e kryeministrit izraelit në një deklaratë mbi atë që e quajti një vendim të kabinetit për të mbështetur “propozimin e Netanyahut për mposhtjen e Hamasit”.
Shumica e anëtarëve të kabinetit mbështetën gjithashtu një listë prej pesë parimesh që Izraeli do të kërkojë në këmbim të përfundimit të luftës me Hamasin, tha zyra e Netanyahut.
1. Çarmatimi i Hamasit
2. Kthimi i të gjithë 50 pengjeve të mbetura, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
3. Demilitarizimi i Rripit të Gazës.
4. Kontrolli i sigurisë izraelite në Rripin e Gazës.
5. Ekzistenca e një qeverie alternative politike që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez.
Sipas Channel 12, gjatë takimit, Netanyahu deklaroi se nuk ka ndërmend të “përjetësojë praninë e Hamasit”, por ta “mposhtë atë”. Ai shtoi se “metoda aktuale nuk ka çuar në lirimin e pengjeve dhe ne nuk do të vazhdojmë në këtë mënyrë”.
Jashtë ndërtesës, ndërkohë dhjetëra protestues që ishin mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zgjerimit të mundshëm të operacionit ushtarak u përleshën me forcat e policisë.










