Lufta mes Izraelit dhe Iranit duket se po shkon drejt një momenti vendimtar. Ndërsa bombardimet reciproke kanë hyrë në ditën e gjashtë, ka një ashpërsim në qëndrime nga Uashingtoni, Tel Avivi dhe Teherani. Ndërkohë konflikti në Lindjen e Mesme ka vënë në lëvizje superfuqitë në mbarë globin.
Të paktën 585 persona u vranë dhe 1,326 të tjerë u plagosën që kur Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit të premten e kaluar.
Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.
Donald Trump kërkoi “dorëzim pa kushte” nga Teherani dhe peshoi opsionet e tij ushtarake. Trump thirri një takim të ekipit të tij të sigurisë kombëtare, por pa marrë një vendim përfundimtar lidhur me atë se çfarë do të ndodhë. Ekipi i Trump duket i ndarë mes opsionit për t’u përfshirë direkt në luftë, apo qëndrimit të mbajtur deri tani, një mbështetje ndaj Izraelit, por pa qenë pjesë e operacioneve direkte ushtarake.
“Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje. Nuk do ta vrasim, të paktën jo për momentin”, tha Trump. Por ai paralajmëroi gjithashtu se durimi ynë po mbaron, duke lënë në këtë mënyrë të hapur opsionin e përfshirjes direkte të SHBA në konflikt.
Por nuk janë vetëm deklaratat e Trump ato që paralajmërojnë se SHBA mund të bashkohen me operacionet ofensive. Deklaratat pasohen nga vendosja e papritur e avionëve ushtarakë amerikanë në Evropë dhe Lindjen e Mesme, mes një konsensusi të përgjithshëm se impiantet e pasurimit të uraniumit të varrosura thellë të Iranit mund të rezultonin të pathyeshme pa bomba të mëdha shkatërruese bunkerësh që vetëm forcat ajrore amerikane i posedojnë.
“Nëse Irani nuk tërhiqet, shkatërrimi i plotë i programit bërthamor iranian është në axhendë, të cilin Izraeli nuk mund ta arrijë i vetëm”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz për televizionin ZDF një ditë pas takimit me Trump në samitin e G7 në Kanada.
Por presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje për përmbajtje, duke thënë se “ne e njohim të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por nuk mbështesim veprime që kërcënojnë stabilitetin në rajon. Gabimi më i madh që mund të bëhet sot është të përpiqesh të ndryshosh regjimin në Iran me mjete ushtarake, sepse kjo do të çonte në kaos.”
Pavarësisht vendosjes së trupave ushtarake amerikane dhe komenteve kërcënuese të Trump, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, këmbënguli se SHBA-të nuk ishin gati t’i bashkoheshin fushatës së bombardimeve izraelite.
“Nuk ka asgjë nga ato që tha presidenti që sugjeron se ai është gati të përfshihet në këtë konflikt”, tha Starmer.
Zëvendëspresidenti, JD Vance, gjithashtu përdori mediat sociale për të diskutuar opsionet e Trump.
“Ai mund të vendosë se duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për t’i dhënë fund pasurimit iranian. Ky vendim në fund të fundit i takon presidentit”, shkroi Vance, përpara se të shtonte se “njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen për përfshirjen e huaj pas 25 viteve të fundit të një politike të jashtme idiote”.
Presidenti amerikan parashikoi se Izraeli nuk do të ndalonte fushatën e tij të bombardimeve dhe sugjeroi se një moment vendimtar në atë fushatë ishte i afërt, megjithëse e bëri të qartë se priste që Izraeli të shkatërronte objektet bërthamore të Iranit pa ndihmën e SHBA-së.
“Do ta zbuloni gjatë dy ditëve të ardhshme. Askush nuk ka ngadalësuar deri më tani”, i tha ai CBS Neës në fluturimin për në Uashington, duke thënë se po kthehej në Shtëpinë e Bardhë për t’u përqendruar në konflikt.

Reagimet deklarative nga Irani
Por në mesin e deklaratave dhe paralajmërimeve, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Irani ishte i hapur për të rifilluar bisedimet me SHBA-në. “Nëse Presidenti Trump është i sinqertë në lidhje me diplomacinë dhe i interesuar për të ndaluar këtë luftë, hapat e mëtejshëm janë të rëndësishëm”, tha ai.
Në anën tjetër, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei tha se ‘iranianët nuk janë nga ata që dorëzohen’, duke iu përgjigjur pikë për pikë thirrjes së Trump.
“Izraeli ka bërë një gabim të madh”, tha udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, në një fjalim të posaçëm, duke u zotuar se do të “ndëshkohet”. Ai shtoi se populli nuk do ta harrojë gjakun e “martirëve” dhe sulmin në territorin e tyre.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Mehr, udhëheqësi suprem i Iranit “vlerësoi reagimin e palëkundur, të guximshëm dhe në kohë të popullit iranian”.
Ai madje paralajmëroi SHBA-në se “çdo ndërhyrje ushtarake amerikane padyshim do të shkaktojë dëme të pariparueshme”, duke dënuar “deklaratat kërcënuese dhe qesharake” të Donald Trump.
Ai shtoi se “SHBA-të duhet ta dinë se Irani nuk do të dorëzohet.”
Ai thotë se “njerëzit e mençur që e njohin Iranin, popullin dhe historinë e tij nuk i flasin kurrë këtij kombi me gjuhën e kërcënimeve, sepse iranianët nuk janë ata që dorëzohen”.
“Çdo formë e ndërhyrjes ushtarake amerikane padyshim që do të përballet me dëme të pariparueshme”, thuhet në deklaratë.
Shpjegimi izraelit për sulmin
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ka postuar në “X” një letër, që ia ka dërguar kreut të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Në të, ai shpjegon arsyetimin e Izraelit për nisjen e sulmeve të tij kundër Iranit javën e kaluar.
Ai pretendon se vendit nuk i është dhënë zgjidhje pas “dekadave” të “akteve klandestine armiqësore” të Teheranit dhe kërcënimeve nga udhëheqësit e tij për “asgjësim” të Izraelit.
“Nuk është thjesht retorikë. Irani ka një plan strategjik për të eliminuar Izraelin, i cili përfshin plane dhe veprime konkrete për të arritur këtë qëllim”, shkruan Sa’ar.
Ai gjithashtu thotë se Izraeli goditi për herë të parë në atë që ishte “dritarja e fundit e mundësisë” për të vepruar për të penguar një sulm të ardhshëm iranian.
Sa’ar citon 24 civilët izraelitë të vrarë në ato që ai i pretendon se kanë qenë sulme “pa dallim” iraniane, të cilat qëllimisht kanë synuar civilët.
Shifrat zyrtare të publikuara nga ministria e shëndetësisë e Iranit thanë të dielën se sulmet e Izraelit kishin vrarë të paktën 224 persona dhe shumica dërrmuese e tyre janë civilë.

Avionët amerikanë në Qipro
Ministri qipriot i Mbrojtjes, Vassilis Palmas, ka konfirmuar se avionë ushtarakë amerikanë kanë mbërritur në bazën ajrore të Pafosit, në jugperëndim të vendit. Në një deklaratë për mediat, ai sqaroi se bëhet fjalë për avionë transporti, jo avionë luftarakë.
Mediat lokale dhe ndërkombëtare raportojnë gjithashtu për avionë cisternë që mundësojnë furnizimin me karburant të avionëve luftarakë në ajër, një lëvizje që lidhet me përgatitjet e mundshme logjistike të SHBA-së në rast të përshkallëzimit të konfliktit në rajon. Nuk është konfirmuar ende numri i saktë i avionëve të përfshirë deri tani.
Palmas i është përgjigjur edhe shqetësimeve të popullatës qipriote, që ndodhen shumë pranë zhvillimeve ushtarake izraelito-iraniane. Ai siguroi qytetarët se raketat dhe ndërhyrjet ajrore mund të jenë të dukshme nga bregu jugor, por janë “shumë larg për të përbërë rrezik të drejtpërdrejtë”.
Ministri theksoi se Qiproja mbetet jashtë konfliktit dhe kontribuon vetëm në aspekte humanitare, duke ndihmuar në operacionet e evakuimit dhe mbështetjen e civilëve.

Mijëra njerëz largohen nga Teherani
Mijëra njerëz po largoheshin nga Teherani të mërkurën, pasi avionët luftarakë izraelitë bombarduan qytetin gjatë natës, dhe një burim tha se Trump po shqyrtonte mundësi që përfshijnë bashkimin me Izraelin në sulmin ndaj lokacioneve bërthamore iraniane. Rradhë kilometrike janë krijuar në rrugët e kryeqytetit, ndërsa karvane me makina ecin ngadalë, duke lënë pas një qytet që po kthehet në ‘fantazëm’. Aktivistët kanë dhënë alarmin edhe për burgun Evin, i cili ndodhet brenda zonës së përcaktuar nga urdhri i evakuimit i Izraelit.
Është plot me të burgosur politikë dhe protestues të arrestuar në protestat e vitit 2022 “Gratë, Jeta, Liria”, si dhe me shkelës të zakonshëm, dhe nuk është evakuuar.
“Babai im është në burg! A mund të më tregoni se si duhet të evakuohet nga Teherani!? A mund të më tregoni? Çfarë doni të thoni me këtë që duhet të evakuohet nga Teherani!? ”, tha Mehraveh Khandan, babai i së cilës, aktivisti iranian i të drejtave të njeriut Reza Khandan, po mbahet në burgun e Evin, në një postim në Instagram.
Luftimet e vazhdueshme i kanë lënë banorët e zhvendosur të Teheranit në një gjendje të pasigurt, ndërsa shqetësohen për ata që kanë mbetur pas dhe për mërgimin e tyre.

Qëndrimi i Kinës
Një ditë pasi Izraeli sulmoi Iranin të premten, një aeroplan mallrash u nis nga Kina. Të nesërmen, një aeroplan i dytë u nis nga një qytet bregdetar. Pastaj, të hënën, një tjetër u nis, këtë herë nga Shangai – tre fluturime në tre ditë.
Të dhënat treguan se në çdo fluturim, aeroplani fluturonte në drejtim të perëndimit përgjatë Kinës veriore, duke kaluar në Kazakistan, pastaj në jug në Uzbekistan dhe Turkmenistan – dhe më pas duke u zhdukur nga radari ndërsa i afrohej Iranit.
Për t’i shtuar edhe më shumë misterin, planet e fluturimit tregonin një destinacion përfundimtar të Luksemburgut, por avioni duket se nuk kishte fluturuar kurrë pranë qiejve evropianë.
Një shqetësim ka shpërthyer në përgjigje të asaj që mund të jetë dërguar nga Kina në drejtim të Iranit, ndërsa lufta e Teheranit me Izraelin vazhdon.
Zyrtarisht Kina bëri thirrje të mërkurën kundër “zgjerimit” të konfliktit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit.
Duke shprehur “shqetësim të thellë” për situatën aktuale, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun tha se “Kina kundërshton çdo akt që shkel parimet e Kartës së OKB-së, duke shkelur sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendeve të tjera.”
Guo po reagonte ndaj një pyetjeje mbi deklaratën e Presidentit të SHBA-së Donald Trump se Uashingtoni e di “saktësisht” se ku është Udhëheqësi Suprem iranian Ali Khamenei, duke thënë se ishte i sigurt “për momentin” ndërsa paralajmëroi se “durimi ynë po mbaron”.
Guo tha në një konferencë shtypi të transmetuar drejtpërdrejt në Pekin se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme “nuk i shërben interesit të askujt”.
Pa përmendur askënd drejtpërdrejt, zëdhënësi Guo tha: “vendet që kanë ndikim të veçantë mbi Izraelin duhet të marrin një qëndrim objektiv dhe të drejtë, si dhe të luajnë një rol aktiv në zbutjen e situatës dhe shmangien e zgjerimit të konfliktit.”
Paralajmërimi rus
Rusia i paralajmëron SHBA-të kundër ndihmës ushtarake të Izraelit, raporton Ifax. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, paralajmëroi të mërkurën se ndihma e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për Izraelin mund të destabilizojë rrënjësisht situatën në Lindjen e Mesme.
Agjencia e lajmeve Interfax citon Ryabkov të ketë thënë se Rusia i paralajmëron SHBA-të kundër ofrimit të një ndihme të tillë për Izraelin – ose madje edhe kundër marrjes në konsideratë të saj. Ai tha se Moska ishte në kontakt si me Izraelin ashtu edhe me Iranin , raporton Reuters.
Turqia përgatitet për çdo skenar
Presidenti turk, Tayyip Erdogan, e përshkroi vetëmbrojtjen e Iranit “kundër terrorizmit shtetëror të Izraelit” si legjitime , duke pretenduar se “Netanyahu e ka tejkaluar prej kohësh Hitlerin mizor në krimin e gjenocidit”.
Duke folur para Grupit Parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në pushtet dhe me audiencën që brohoriste sloganin “mallkim mbi Izraelin”, presidenti turk tha se “Izraeli vazhdon politikën e tij të pushtimit dhe masakrës në Palestinë”.
Siç tha ai, “fotot dhe videot më të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore janë shumë të pafajshme krahasuar me imazhet që dalin nga Gaza sot. Gjatë Holokaustit në Evropë, nuk kishte imazhe aq të tmerrshme, aq të dhimbshme, aq çnjerëzore, aq imorale, sa ato që shohim në Gaza”.
Duke iu referuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ai tha: “shpresojmë që herët a vonë ai do të nxirret para një gjykate ndërkombëtare të pavarur, do të përballet me gjithçka që ka bërë dhe do të mbahet përgjegjës për krimet dhe masakrat që ka kryer në këtë botë, pa pritur për jetën e përtejme.”
“Vetëmbrojtja e Iranit kundër kësaj sjelljeje grabitqare të Izraelit, kundër këtij regjimi shtetëror terrorist, është një e drejtë plotësisht e natyrshme, ligjore dhe legjitime”, theksoi Rexhep Tajip Erdogan, duke thënë se “Irani ka marrë një sulm të qartë nga një vend që nuk njeh ligjin, nuk njeh rregullat, nuk ka parime”, ndërsa negociatat bërthamore po vazhdonin.
Ai gjithashtu vuri në dukje se Turqia po bën dhe do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet “për të ndaluar këtë agresion çnjerëzor si në Gaza ashtu edhe në Siri, Liban, Jemen dhe vendin tonë fqinj, Iran”.
Tayyip Erdogan tha gjithashtu se Turqia po përgatitet për çdo lloj zhvillimi negativ, për çdo skenar, dhe shtoi.
“Duhet ta kuptojnë të gjithë se ne nuk po drejtojmë një dyqan ushqimor. Ne po qeverisim një nga vendet më të mëdha në botë, Republikën Turke. Përvoja jonë si shtet, thellësia jonë historike, përvoja jonë e akumuluar si komb gjatë shekujve janë pika jonë më e fortë e referencës në menaxhimin e këtij procesi.
Ne nuk u kushtojmë vëmendje sfidave të atyre që deri dje vepronin vullnetarisht si avokatë të Izraelit dhe pa turp apo frenim e quanin Hamasin një organizatë terroriste. Ata që më kritikuan pa mëshirë për fjalimin tim në fillim të mandatit parlamentar, sepse tërhoqa vëmendjen ndaj agresionit në rritje të Izraelit, sot nuk kanë të drejtë të na japin këshilla dhe të vënë në dyshim ndjeshmërinë tonë, por, nëse u ka mbetur edhe pak vetërespekt, duhet të pranojnë gabimet e tyre dhe të kërkojnë falje”, shtoi Rexhep Tajip Erdogan.






