Eksperti i mjedisit dhe energjisë, Luan Shllaku, ka kërkuar më shumë transparencë dhe të dhëna konkrete lidhur me kontratën për shitjen e linjitit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi, Shllaku ka thënë se diskutimi për këtë kontratë nuk mund të bëhet përmes krahasimeve me të kaluarën, pa u bërë të ditura parametrat që mundësojnë vlerësimin e marrëveshjes aktuale trevjeçare.
Sipas tij, fakti që në të kaluarën linjiti mund të jetë shitur me çmim më të ulët nuk është i mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime për kontratën e sotme.
“Te thuash se dikur linjiti është shitur më lirë, pa treguar kushtet, cilësinë, paritetin, transportin, taksat dhe obligimet e palëve, nuk thotë pothuajse asgjë për marrëveshjen aktuale trevjeçare me Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar Shllaku.
Ai ka vlerësuar se, nëse duhet bërë një krahasim, atëherë duhet të merren për bazë kontratat përmes të cilave pala maqedonase ka blerë linjit nga minierat në Greqi.
Shllaku ka theksuar se çmimi që maqedonasit u kanë paguar grekëve ka qenë më i lartë se 24.4 euro për ton, sa thuhet se paguajnë për linjitin nga Kosova, por sipas tij, as ky fakt nuk është i mjaftueshëm për të dëshmuar nëse kontrata aktuale është e favorshme apo jo.
“Duhet të dimë paritetin, kush e paguante nxjerrjen dhe transportin, cilësinë kalorifike, taksat, rentën minerare dhe kushtet tjera të kontratës. Vetëm atëherë mund të krahasojmë”, ka deklaruar ai.
Eksperti i ka bërë thirrje ministres që të publikojë të dhënat përkatëse dhe të shmangë, siç e ka quajtur ai, “mantrën” se gjithçka që bëhet nga qeveria aktuale është më mirë se ajo që është bërë më parë.
“Le të jetë edhe ashtu, por argumentojeni. Pastaj ne gjykojmë!”, ka shkruar Shllaku.
Në fund, ai ka thënë se çështjet që lidhen me energjinë dhe pasurinë minerare kërkojnë shpjegime profesionale dhe jo, sipas tij, improvizime apo populizëm.
“Qytetarët meritojnë argumente, jo krahasime banale”, ka përfunduar Shllaku.








