Një histori e pazakontë po tërheq vëmendjen në radhët e Shefild Junajtid, ku jeta personale e një lojtari ndërthuret drejtpërdrejt me atë profesionale. Mesfushori Oliver Arblaster dhe partnerja e tij, Marta Elizabet Uajlder, kanë bërë të ditur se janë në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Lajmi është konfirmuar përmes rrjeteve sociale, ku çifti ka ndarë fotografi dhe momente emocionale që lidhen me pritjen e fëmijës. Reagimet nga tifozët dhe ndjekësit e klubit kanë qenë të shumta, me mijëra urime për çiftin.
Interesi publik është shtuar për shkak të lidhjes familjare: Marta Elizabet Uajlder është vajza e trajnerit të Shefild Juanjtid, Kris Uajlder. Marrëdhënia mes saj dhe Arblaster ishte bërë publike rreth një vit më parë dhe që atëherë ka qenë në vëmendjen e mediave sportive dhe tifozëve.

Sipas një reagimi nga nëna e futbollistit, çifti pret një djalë, megjithëse ky detaj nuk është konfirmuar zyrtarisht nga vetë ata.
Kjo situatë krijon një raport të veçantë brenda klubit, pasi trajneri Kris Uajlder pritet të bëhet gjysh, ndërkohë që vazhdon të drejtojë në fushë partnerin e vajzës së tij. Ky zhvillim ka nxitur diskutime mbi balancën mes marrëdhënieve familjare dhe profesionalizmit në ekip.









