Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) ka rishikuar në ulje parashikimet për trafikun dhe fitimet e linjave ajrore për vitin 2025, duke theksuar pasiguritë ekonomike globale si shkak kryesor.
Në takimin vjetor në New Delhi, IATA njoftoi se numri i udhëtimeve ajrore këtë vit pritet të jetë më pak se pesë miliardë, krahasuar me parashikimin e mëparshëm prej 5.22 miliardë.
“Gjysma e parë e vitit ka sjellë pasiguri të konsiderueshme në tregjet globale,” tha Drejtori i Përgjithshëm i IATA-s, Willie Walsh. Megjithatë, ai theksoi se ky rezultat tregon qëndrueshmërinë e industrisë.
Fitimet e përgjithshme të linjave ajrore parashikohen të arrijnë në 36 miliardë dollarë – 600 milionë më pak se sa ishte parashikuar. Po ashtu, të ardhurat nga aviacioni komercial pritet të arrijnë 979 miliardë dollarë, duke mbetur nën pragun e 1 trilion dollarëve të parashikuar më herët.
Walsh u bëri thirrje qeverive të shmangin rritjen e tarifave që mund të dëmtojnë sektorin e aviacionit, në një klimë të ngarkuar me sfida ekonomike dhe tensione tregtare.








