Vasil Pilo, ishte një nga shtatë viktimat e aksidentit tragjik në të cilin u përfshi furgoni që po udhëtonin tifozët e klubit grek PAOK. Pas ngjarjes që tronditi thellë opinionin publik, ka folur për mediat një prej të afërmve të tij, Thoma Ninka.
Ninka tregoi se ishte kushëri i parë me të atin e Pilos, i cili kishte vite që kishte ndërruar jetë, teksa shtoi se Vasili ishte lindur në Selanik dhe jetonte me të ëmën dhe të motrën prej pothuajse një dekade që nga vdekja e të atit.
Sipas Thoma Ninkës, që prej vdekjes së të atit të Vasilit, kushëririt të tij, marrëdhëniet mes familjeve nuk ishin më aq të afërta, e kontaktet shumë të rralla.
“Jam kushëriri i parë i babait të Vasilit. Ne e morëm vesh lajmin nga televizori, e dhanë lajmet. Djali kishte lindur në Greqi. Djem të rinj ndjekin ndeshjet, nuk e di çfarë ekipi ishte, pak e di, siç iknin me fugon ishin përplasur me një kamion edhe kjo është ngjarja. Jetonte në Greqi, i ati i kishte vdekur. Jetonte me motrën dhe të ëmën”, është shprehur ai.
Ai është ndalur edhe tek e kaluara e Vasilit dhe familjes së tij teksa ka thënë: “Nuk kemi pasur shumë lidhje që kur i vdiq i ati dhe e ëma u rimartua me një tjetër dhe ne nuk dimë se çfarë ndodhte andej, s’kanë ardhur ndonjëherë këtu në Shqipëri ata. Pavarësisht se ne nuk kemi pasur lidhje se siç ikën, se ne nuk vinim dot, se nuk kemi as kartat, pasaportat që të vemë. Duke të vdekur dhe kushëriri mbyllen shumë gjëra, nuk e dimë, se e ëma u martua. Ka gati 10 vite i ati që i ka vdekur, kur ishte rreth 13-14 vjeç Vasili“.
Në përfundim Thomai u shpreh se ata ishin me origjinë nga Korça dhe se ajo që kishte ndodhur me Vasilin ishte një fatkeqësi e madhe: “Ishin emigrantë në Greqi, nga Korça është edhe e ëma, të gjithë nga Korça dhe siç ikin shqiptarët. Andej kanë lindur dhe djali dhe vajza. Fat i keq, fatkeqësi e madhe“.
Kujtojmë se në furgonin që u përplas me kamionin në Rumani teksa udhëtonte për në Francë, ishin dhjetë tifozë të PAOK-ut, shtatë nga të cilët ndërruan jetë, gjashtë prej tyre në vend dhe njëri rrugës për në spital. Tre të plagosurit, mes trye edhe shqiptari tjetër Genci Sadiku, ndodhen duke marrë mjekime në spitalin e Timisoaras, jashtë rrezikut për jetën.










