Rezultatet e zgjedhjeve disa politikanë i bënë më të përfshirë sesa gjatë gjithë kohës së fushatës. Dhe kjo jo sepse korrën ndonjë sukses, por pikërisht të kundërtën. Fjalët e mëdha që i shpërndanë me bollëk nuk u panë askund në kuti votimi.
Disa prej tyre pësuan rënie të ndjeshme në përqindje, ndërsa disa të tjerë nuk arritën ta kalojnë as pragun zgjedhor.
Kjo situatë i nxiti qytetarët të bëjnë shaka me gjendjen e kandidatëve, duke i kthyer rezultatet zgjedhore më shumë në material humori.
Disa e “pensionuan” Abdixhikun, ndërsa disa të tjerë shkuan edhe më larg, duke e futur në pension të gjithë LDK-në. Madje, sipas qytetarëve, meqë kryetarit të LDK-së nuk po i ecën me politikë, ia gjetën edhe një “punë të re”.
Ndërkohë, tashmë dihet se një nga sfidat më të mëdha të NISMA-s dhe Fatmir Limajt mbetet kalimi i pragut zgjedhor. Shaka pa fund u bënë për këtë çështje, e cila mesa duket po rezulton e pakapërcyeshme për këtë parti.











