Shkruar nga Simona Siri
Sulmi aktual i Izraelit ndaj Iranit është shumë më i madh se ai i prillit, dhe kjo sepse aktualisht Teherani është shumë më i dobët. Kështu shprehet në një intervistë për gazetën, Ian Bremmer, themelues dhe drejtues i Eurasia Group, instituti kryesor i konsulencës për rreziqet gjeopolitike në botë. Bremmer shpreh keqardhjen për tërheqjen e Amerikës nga udhëheqja globale, pasi ky akt po e kthen botën në një xhungël pa rregulla, ku dominon ligji i më të fortit.
Si mbërritëm deri në këtë situatë?
Duke mos qenë më si garantuese e rendit botëror aktual, Shtetet e Bashkuara kanë nxitur një rikthim tek ligji i xhunglës, ku të fortët bëjnë çfarë të duan, dhe ku të dobëtit vuajnë atë çfarë duhet. Dhe kjo gjë nuk është askund më e qartë se sa në Lindjen e Mesme. Izraeli është padyshim fuqia dominuese ushtarake dhe teknologjike në rajon, dhe kjo i jep mundësinë që të veprojë pa u ndëshkuar.
Sekretari i Shtetit Rubio foli për veprim të njëanshëm nga Izraeli pa përfshirjen e SHBA-së…
SHBA-ja nuk do që të jetë pjesë aktive e kësaj lufte, por Trump e dinte që të hënën e kaluar se do të ndodhnin këto sulme. Ndaj nëse do të donte t’i ndalonte, mund ta kishte bërë. Për të mos harruar faktin që Shtetet e Bashkuara i ofrojnë rregullisht armë, mbështetje ushtarake dhe inteligjencë Izraelit.
Natyrisht, ekziston një ndryshim midis mospjesëmarrjes direkte në sulme, dhe të qenit bashkëfajtor apo i mbështetjes së tyre. Në fakt, mendoj se në fillim të negociatave me iranianët, Trump i shprehu Izraelit kundërshtimin e tij të vendosur ndaj skenarit të sulmit.
Pastaj, duke parë se negociatat po zvarriteshin dhe marrëveshja që mund të arrinte nuk ishte ajo që dëshironte, u mërzit dhe e humbi interesin. Trump është një udhëheqës shumë i përqendruar në atë që po ndodh në një moment, dhe kur diçka nuk funksionon, kalon shpejt tek çështjet e tjera.
Ai dështoi të bindte si Putinin ashtu edhe Netanyahun. Nuk është një arritje e madhe për dikë që dëshiron të jetë paqebërës botëror…
Putin nuk ishte i gatshëm ta pranonte armëpushimin, por Trump mori nga ukrainasit gjithçka që donte. Ai duhej të toleronte kinezët për çështjen e tarifave, ndërsa me Meksikën mori garanci për sigurinë kufitare, për mallrat dhe transportin. Mësimi është se vendet dhe udhëheqësit e dobët kapitullojnë para Trumpit, ndërsa ata që ndihen të fortë reagojnë ashpër.
Sa shumë ndikuan problemet e brendshme politike të Netanyahut në vendimin e tij për të sulmuar Iranin?
Është e vërtetë që ai gjendet nën presion, por ushtarakisht ka arritur suksese të mëdha. Izraelitët e mbështesin për atë që i ka shkaktuar Hezbollahut, dhe atë që po i shkakton aktualisht Iranit. Ky i fundit, po mundohet të shënjestrojë dhe terrorizojë civilët izraelitë, por nuk ka shumë gjasa të ketë shumë sukses.
Kur Izraeli e goditi Iranin në dy raste pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, iranianët nuk ishin në gjendje t’i shkaktonin ndonjë dëm serioz. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi në raste të tilla janë ç’ekuilibrat ushtarakë.
Si e shihni reagimin e vendeve të tjera?
Franca dhe Gjermania e dinë që Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Sigurisht, sauditët i kanë dënuar sulmet, pasi kanë frikë se si kundërpërgjigje iranianët do të pengojnë kalimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, gjë që do ta rriste koston me mbi 100 dollarë për fuçi, duke çuar në një recesion ekonomik global.
Shtetet e Gjirit, duan që të tregojnë publikisht se duan të ulin tensionet, por ka pak gjëra që mund ose duan të bëjnë për të ndërhyrë realisht. Realiteti është se pjesa më e madhe e botës e kundërshton atë që po bën Izraeli në Gaza dhe Bregun Perëndimor, por nuk është e gatshme të bëjë asgjë në lidhje me këtë.
Vendet më armiqësore janë Turqia – e cila mund t’i shkaktojë dëme ekonomike Izraelit – dhe Rusia, e cila ka nevojë për dronët dhe aftësitë e Iranit që të vazhdojë luftën e saj në Ukrainë
Cili është skenari më i keq në këtë pikë?
Njëri është se duke u gjendur nën një presion të madh dhe me një program bërthamor të fshehtë që izraelitët nuk mund ta godasin, iranianët do të përpiqen ta prodhojnë sa më shpejt bombën e tyre bërthamore.
Izraelitët dhe amerikanët e mësojnë këtë gjë, dhe amerikanët përfshihen menjëherë në luftë. Së dyti, për shkak të paqëndrueshmërisë, regjimi iranian shndërrohet plotësisht si ai i Sadam Huseinit dikur, me qindra mijëra civilë të vrarë për shkak të shtypjes së brendshme.
Po më i miri?
Që Irani nuk do të ketë mundësi të kundërsulmojë në shkallë të madhe. Pra regjimi po dobësohet dhe nuk është më në gjendje të ofrojë mbështetje për Rusinë, dhe as të eksportojë terrorizëm përmes milicive të mbështetura prej tij.
Sa afër është realisht Irani pajisjes me armë bërthamore?
Ekspertët thonë se mund të kenë mjaftueshëm uranium të pasuruar për të prodhuar një bombë brenda disa javësh. Por kjo nuk do të thotë se mund ta shndërrojnë atë në armë, pasi është dëmtuar infrastruktura dhe aftësitë e tij ushtarake. Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar ajo që është i gatshëm të bëjë një regjim radikal, kur e sheh veten në një situatë të dëshpëruar.
Bota është sot në flakë. Çfarë do të duhej për të qetësuar gjërat? Ndoshta udhëheqës të rinj?
Mjerisht, ne sot nuk kemi udhëheqës por vetëm fitues, dhe fituesit nënkuptojnë gjithmonë se ka edhe humbës. Dhe kjo nënkupton shtypje dhe njerëz që ndihen të trajtuar keq, të cilët në këtë pikë janë të gatshëm të luftojnë.






