Brenda shtëpisë së Big Brother VIP, Baby G ka lënë mënjanë petkun e artistes për të zbuluar një plagë të vjetër familjare që ka prekur zemrat e publikut.
Mes lotësh dhe sinqeritetit, ajo ka rrëfyer historinë e vëllait të saj të ndjerë, fëmijës së parë të familjes, i cili ndërroi jetë menjëherë pas lindjes.
Pas humbjes së vëllait lindën tri vajzat, por përveç dhimbjes, prindërit e saj u desh të përballeshin me një tjetër sfidë: mentalitetin e vjetër dhe paragjykimet e rënda shoqërore.
Baby G tregoi se si rrethi shoqëror dhe njerëzit përreth tentuan të ndërhynin në martesën e prindërve të saj, duke i kërkuar babait të saj të ndahej nga bashkëshortja.
Arsyeja ishte sa absurde aq edhe mizore; sipas tyre, ajo “nuk po i bënte djalë” dhe babait i duhej një trashëgimtar me çdo kusht.
Mesazhet e rënda “leje gruan se nuk ta bëri djalë” ishin një sfidë e përditshme për familjen e tyre, por përgjigja e babait të artistes ishte një mësim i madh dinjiteti.
Artistja kujton me krenari se si i ati nuk u thye kurrë nga këto presione, duke u dalë zot vajzave dhe dashurisë së jetës së tij.
Ai u ishte kthyer përgjigje të gjithëve duke u thënë se ndihej njeriu më me fat që kishte atë grua dhe ato vajza.
“Zoti ma fali një djalë dhe ma mori, por kam gocat,” ishte fjalia që mbylli çdo gojë ligë dhe që Baby G e kujton sot si dëshminë më të madhe të forcës së familjes së saj.








