Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konference për media e ka quajtur lojë politike mandatimin e Konjufcës për kryeministër.
Abdixhiku ka bërë të qartë se partia e tij, nuk ka votë për Konjufcën. Sipas tij, zgjidhja e vetme e mbetur janë zgjedhjet e reja. Ai ka folur për propozimin për qeveri të unitetit, që LDK-ja e kishte shprehur muaj më parë.
Abdixhiku ka thënë se, muaj pas këtij propozimi që u refuzua nga partitë e tjera, vendi ndodhet në një situatë edhe më të rënduar dhe me ndarje më të theksuara.
“E gjithë ideja jonë asokohe kishte për qëllim unitetin kombëtar, daljen nga kriza dhe adresimin 15 pikave kritike me të cilat po përballemi sot. Ky propozim u refuzua me shpejtësi në vend bashkëpunimit, siç e dini në vend të bashkëpunimi u vazhdua kriza.
Sot gjashtë muaj më vonë nga propozimi ynë, vendi ndodhet në një situatë edhe më të rënduar, pa institucione dhe me ndarje më të theksuar. Qytetarëve tani tani po i propozohet si zgjidhje një qeveri e pakicës, unitet tranzitor po i thuhet. Është imponuar me vendime të një partie. Jemi vonë, partitë politike duhet të kishin menduar më parë propozimin tonë. Qeveri të pakicës nuk mund të ketë më në vendin tonë. Në demokraci, pakicës i thonë opozitë, jo qeveri. Në demokraci pakica nuk e miraton buxhetin, nuk imponon ligjet. Çdo qeveri legjitime duhet të përfaqësojë shumicën, e kur nuk ka shumicë vendi duhet ti kthehet sovranit. Në monarki mandati trashëgohet, nga babai te i biri – nga Albini, te Glauku. Në demokraci mandati sigurohet përmes votës së shprehur të qytetarit. Nuk ka fare rëndësi për Kosovën sot se çfarë vendos KP i VV por parlamenti i lirë. Kohët e partive shtet kanë mbaruar. Për LDK-në kjo është vetëm një lojë politike dhe ka për qëllim vetëm zvarritjen. Koha e axhamive politikë ka marrë fund, nuk fitohen betejat politike më të Kosovë me kalkulime të tilla primitive. Çdo zvarritje e tillë, e qëllimshme përbën vetë zgjatje të krizës.
Në këto rrethana, Konjufca me mandatar të trashëguar, duhet të jetë i sinqertë me veten, më shumë se kryetari i tij dhe të konstatojë sa më parë aq më mirë se nuk ka shumicë”, tha Abdixhiku.








