Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e shpenzimeve të partive politike për periudhën tetor-dhjetor 2025.
Në mesin e subjekteve politike të përfshira në këto raporte është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila gjatë kësaj periudhe tre mujore ka realizuar shpenzime që i afrohen çerek milionë eurove.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, LDK kishte planifikuar një buxhet prej 225,959.03 euro, ndërsa shpenzimet reale kanë arritur në 224,859.70 euro, duke rezultuar me 1,099.33 euro më pak se shuma e paraparë.
Struktura e shpenzimeve tregon se pjesa më e madhe e mjeteve është destinuar për paga të punëtorëve, në vlerë prej 85,396.68 euro. Po ashtu, 1,154.50 euro janë shpenzuar për shërbime të telekomunikacionit, ndërsa 35,650.00 euro kanë shkuar për shërbime arsimore dhe trajnuese, shtyp jo-marketing, si dhe për shërbime kontraktuese dhe teknike.
Pjesa tjetër e mjeteve është përdorur për nevoja operative, përfshirë shërbime zyre, ushqim dhe pije, lëndë djegëse, si dhe kategori të tjera të shpenzimeve administrative.










