Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpenzuar 188 mijë e 533 euro në tre muajt e fundit, sipas raportit të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpenzimet e partive për periudhën korrik-shtator.
Nga kjo shumë, rreth 26 mijë euro janë shpenzime marketing, ku 408 euro renditen për reclama në Facebook dhe 25 mijë e 500 tjera si “shpenzime për informim publik”.
Si shpenzime të qirasë figurojnë 14 mijë e 88 euro, prej të cilave 13 mijë e 88 euro janë qira për objekte e 1 mijë për makina.
28 mijë e 93 euro janë listuar si shpenzime për furnizimet për zyre dhe 7 mijë e 740 euro për furnizim me ushqim dhe akomodim.
Për karburante, LDK ka deklaruar se ka harxhuar 1 mijë e 611 euro. Për paga, janë shpenzuar 91 mijë e 847 euro.
Si donacione për tre muaj, figurojnë 6 mijë e 100 euro.
Këto shpenzime publikohen me qëllim të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financim të Subjekteve Politike.
Sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në ueb faqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike.









