Degët lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025–2029.
Sipas marrëveshjes, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Junikut është tërhequr nga gara dhe ka deklaruar mbështetje të plotë për kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehu. Me këtë vendim, strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj pritet të mobilizohen për të mbështetur Shehun në zgjedhjet e 12 tetorit.
Shehu e cilësoi këtë bashkim si “hap të guximshëm dhe në dobi të qytetarëve”, duke shtuar se kjo marrëveshje është “shembulli më i mirë se si politika mund të shërbejë si urë bashkimi, jo ndarjeje”.
Ai theksoi se “fitorja e LDK-së është tashmë e pashmangshme”, por se “të dielën do të fitojë Juniku dhe të gjithë junikasit pa dallim”.
Shehu falënderoi strukturat e PDK-së për “aktin e përgjegjshëm dhe të guximshëm”, duke theksuar se ky bashkim politik garanton “një mandat të dytë qeverisës më të fuqishëm se kurrë”.
Në fund, ai u bëri thirrje edhe kandidatëve të tjerë që të bashkohen me këtë vizion, duke theksuar se qeverisja e tij do të jetë për të gjithë qytetarët, me ndershmëri dhe duar të pastra.
“Le ta vulosim këtë bashkim historik me votën tonë të dielën. Vazhdojmë +4, pa balotazh”, përfundoi Shehu.









