Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër pas një incidenti që ka ndodhur sot pranë një qendre votimi, ku ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është përfshirë në një debat me një zyrtar të kësaj partie.
Sveçla është parë duke iu afruar një aktivisti të LDK-së, Art Merkoja – pjesë e ekipit të protokollit të kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku, të cilin e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, duke e akuzuar për shkelje të ligjit zgjedhor.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar fuqishëm “sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese” të ministrit Sveçla ndaj aktivistit të saj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve. Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike”.
LDK i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të garantojnë “një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor”.
“LDK-ja thekson se aktivistët tanë, anëtarët tanë dhe çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të jetoj e shprehet i lirë pa frikë, presion apo intimidim. Sjellje të tilla përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të standardeve demokratike dhe janë të papranueshme nga kushdo që ka mbajtur apo mban funksione publike.
I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend”, thuhet në reagim.









