LDK njofton se Kolegjiumi i Degëve të saj, i mbledhur sot në selinë qendrore të LDK-së, shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.
Në deklaratën e LDK-së thuhet se “Rikonfirmohet mbështetja e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore..”.
Gjithashtu, zgjedhjet e brendshme pritet të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.
Pas diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve doli me pesë pika:
“1. Vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së.
2. Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit.
3. Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar.
4. Rithekson se çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.
5. Fton të gjitha strukturat, anëtarët dhe funksionarët e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta përqendrojnë në forcimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ruajtjen e unitetit të saj dhe në përmbushjen e përgjegjësive që kemi ndaj qytetarëve dhe Republikës”, thuhet në njoftim.
“Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, përfundon njoftimi.








