Ministria e Insfrastrukturës ka lidhur kontrata për të gjitha llotet, katër në total, për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc-Zahaq.
Pas nënshkrimit të kontratave për llotet tre dhe katër në korrik të këtij viti, të enjten janë nënshkruar edhe kontratat për llotet një dhe dy.
Kontratat për dy llotet peshojnë afër 18 milionë euro, ndërsa vlera totale e tenderit peshon rreth 37 milionë euro. Shuma totale është rreth tetë milionë euro më e ulët sesa vlera e parashikuar e kontratës, e cila ishte vendosur në nivelin e 45 milionë eurove.
Kontratën për llotin 1, e cila është nënshkruar sot, e ka fituar konsorciumi ekonomik i kryesuar nga kompania Benita Company Sh.p.k. Tenderi për këtë llot vlen 8,555,000.00 euro.

Llotin e dytë e ka fituar një konsorcium i kryesuar nga KOSOVA ASFALT Sh.p.k, një kompani lokale me bazë në Ferizaj.
Vlera e kontratës për llotin e dytë peshon 9,244,309.90 euro.


Në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë 25 kompani, ndërsa kontrata është dhënë pas vlerësimit të ofertave në përputhje me ligjin për prokurim publik.









