Lahi Brahimaj njofton se do të rikandidojë sërish për deputet në zgjedhjet e reja të 28 dhjetorit.
Brahimaj shprehet mirënjohjes për besimin që qytetarët i dhanë në zgjedhjet e kaluara dhe thekson se angazhimi i tij në politikë nuk është vetëm një çështje politike, por obligim moral ndaj dëshmorëve, veteranëve, invalidëve, familjeve të tyre dhe çdo qytetari që e do Kosovën.
“Të dashur miq, Më 9 shkurt më dhatë nderin më të madh: më zgjodhët deputet të Kosovës. Fatkeqësisht, ajo legjislaturë nuk u funksionalizua dhe nuk pata mundësinë t’i shërbej vendit me punë e angazhim, ashtu siç ma ka kërkuar ndërgjegjja dhe besimi juaj. Me shpalljen e zgjedhjeve të reja më 28 dhjetor, kam marrë vendimin që edhe një herë të rikandidoj dhe të kërkoj votën dhe besimin tuaj. Jam rritur në një familje sakrifice dhe jam pjesë e brezit që i është përgjigjur thirrjes së atdheut në ditët më të vështira. Për mua, angazhimi publik nuk është veç politikë, por është vazhdim i asaj rruge; është obligim moral ndaj dëshmorëve, veteranëve, invalidëve, familjeve të tyre dhe çdo qytetari që e do Kosovën”, shkruan Brahimaj.
Ai bën thirrje për mbështetje duke nënvizuar se përmes votës qytetarët i japin mundësinë për të punuar për ta dhe për Kosovën që e duan të gjithë.
“Ju kërkoj mbështetjen me besim, ashtu siç ma keni dhënë gjithmonë. Vota juaj më jep mundësinë të punoj për ju dhe për Kosovën që e duam të gjithë”.






