Vetëm një ditë pas apelit për ndihmë, sot herët në mëngjes ka ndërruar jetë drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Kamenicë, Greta Kryeziu.
Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kishte nevojë urgjente për transplant të mëlçisë.
Kostoja e trajtimit jashtë vendit arrinte rreth 100 mijë euro, dhe shumë qytetarë, përfshirë këngëtarin Labinot Tahiri, u mobilizuan për të mbledhur ndihma.
Labi, i cili prej vitesh angazhohet në aksione humanitare, publikoi mesazhin e fundit që mori sot herët nga vëllai i Gretës, ku ky i fundit e njoftoi për lajmin e hidhur:
“Labi faleminderit për çdo mund që e bone, me keqardhje motra na ndërroj jetë”, shkruan vëllai i saj në mesazhin dërguar këngëtarit.
Në një reagim publik, Tahiri tha: “Sapo hapa sytë dhe doja të përgatitesha për të mbuluar krejt atë pjesë të parave, mora lajmin e trishtë se ajo engjëllushe ndërroi jetë. Më vjen shumë, shumë keq! Faleminderit të gjithëve që treguat gadishmërinë për ta ndihmuar, por ky rast tashmë ka përfunduar”.









