Një person i dyshuar për krime lufte është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit, pas një operacioni të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Arrestimi është kryer më 14 prill rreth orës 16:00 në fshatin Soçanicë të Leposaviqit.
Bëhet fjalë për Dejan Pelević, i cili gjatë luftës në Kosovë dyshohet se ka qenë pjesëtar i MUP-it të Serbisë, i angazhuar në Stacionin Policor në Skenderaj.
Sipas hetimeve, i dyshuari, i uniformuar dhe i armatosur, më 20 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të organizuar si grup, ka marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak në Lagjen II të Skenderajt.
Ai dyshohet se, duke vepruar me urdhër dhe në mënyrë të organizuar, ka kontribuar në spastrimin e territorit përmes dëbimit të dhunshëm të civilëve shqiptarë nga pronat e tyre, plaçkitjes dhe djegies së pasurisë, si dhe në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike.
Po ashtu, sipas dyshimeve, në këto veprime janë vrarë 15 civilë shqiptarë, ndërsa 16 të tjerë janë zhdukur, në dy lokacione të ndara – në Lagjen II dhe te “Pishat e qytetit” në Skenderaj.
Rasti është inicuar mbi bazën e një kallëzimi penal të paraqitur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës më 23 tetor 2025.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në zyrat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të prokurores së rastit nga PSRK, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
I njëjti është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë.









