Një emër i ri po del në qendër të negociatave për postin e Presidentit të Kosovës.
Bëhet fjalë për Bekim Sejdiun, ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, emri i të cilit raportohet se është diskutuar seriozisht në takimet mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Pajtimi për këtë emër dyshohet se është arritur gjatë takimit të së mërkurës, ndërsa sonte dy liderët janë ulur sërish në tavolinën e bisedimeve, në një takim të paparalajmëruar.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse pozicioni i palëve ka ndryshuar pas takimit të sotëm.
Sejdiu ka një të kaluar të lidhur drejtpërdrejt me një prej zhvillimeve më të rëndësishme politike të viteve të fundit. Ai ishte gjyqtar raportues në rastin KO95/20 të Gjykatës Kushtetuese, vendim që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.
Kjo mund të jetë pikë e ndjeshme për një pjesë të deputetëve të LDK-së, të cilët mund ta kenë të vështirë të mbështesin kandidaturën e ish-gjyqtarit.
Ndërkohë, pas takimit të sotëm, Kurti nuk dha detaje për bisedën.
“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për juve”, u shpreh shkurt ai para gazetarëve.
Kurti dhe Abdixhiku kanë zhvilluar disa takime për të gjetur një zgjidhje rreth zgjedhjes së Presidentit. Pas takimit të kaluar, të dy palët kishin folur për “një hap përpara”, duke konfirmuar se ishin diskutuar emra konkretë.
Nëse Bekim Sejdiu mbetet kandidatura mbi të cilën është arritur pajtimi, sfida e radhës do të jetë sigurimi i votave në Kuvend.
Kjo pasi Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e tij ka kaluar më 7 gusht.
Vetëvendosje ka deklaruar se i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kërkon marrëveshje edhe për Presidentin.
Opozita, ndërkaq, e ka akuzuar VV-në për cenim të rendit kushtetues.
Në këtë situatë, emri i Bekim Sejdiut tashmë është futur në mesin e kandidaturave që mund të përcaktojnë nëse Kosova do të dalë nga ngërçi institucional.








