Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Skenderajn. Një burrë 66-vjeçar është gjetur i varur në një lis, në fshatin Prekaz i Poshtëm, në afërsi të fushës së sportit.
Burimet bëjnë me dije se rreth orës 08:45 është pranuar një telefonatë, ku u raportua se një person gjendej i varur në pyll, përgjatë rrugës “Heroinat e Jasharëve”.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka arritur patrulla policore, e cila ka konfirmuar rastin. Rreth orës 10:23, mjeku kujdestar nga autoambulanca konstatoi se viktima kishte humbur jetën.
Viktima është identifikuar si Selim Sylejmani, 66-vjeçar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve të Skenderajt, Hetimet Rajonale nga Mitrovica si dhe Mjekësia Ligjore, e cila ka marrë trupin e pajetë për obduksion në Prishtinë.
Sipas urdhrit të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.









