Një rast i rëndë i dyshuar si “Sulm seksual” është iniciuar në Ferizaj, ku një 14-vjeçare ka deklaruar se është prekur pa pëlqimin e saj nga një 44-vjeçar gjatë një udhëtimi me veturë.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Shpëtim Rama, i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Bazuar në deklarimin e të miturës, 44-vjeçari prej disa muajsh i kishte shkruar në rrjete sociale dhe i kishte kërkuar të takohej me të, por ajo kishte refuzuar.
Sipas informacioneve të rastit, më 16 gusht, 14-vjeçarja, pasi kishte mbetur pa transport për t’u kthyer në shtëpi, i kishte kërkuar të dyshuarit që ta dërgonte me veturë.
Gjatë rrugës, ajo dyshohet se kishte refuzuar kërkesën e tij për të shkuar në hotel, pas së cilës 44-vjeçari dyshohet se e kishte prekur në këmbë dhe në pjesën e kofshës, pa pëlqimin e saj.
E frikësuar, e mitura kishte kërkuar të ndalonin te “Hib Petrol” në fshatin Bibaj, me arsyetimin se duhej të shkonte në tualet. Aty, sipas deklarimit të saj, ajo ka arritur të kërkojë ndihmë nga një qytetar dhe më pas është njoftuar Policia.
Njësitet policore kanë reaguar në vendngjarje, ku kanë gjetur edhe veturën me të cilën po udhëtonin dhe të dyshuarin, i cili është arrestuar.
14-vjeçarja ka marrë trajtim mjekësor dhe është intervistuar në prani të zyrtares së Qendrës për Punë Sociale. Më pas, ajo është kthyer në shtëpi së bashku me babain e saj.
Ndërkohë, gjatë intervistimit nga Policia, i dyshuari ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar për të mitur, ndaj tij është iniciuar rasti “Sulm seksual” dhe është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj.
Hetimet Rajonale janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.








