Gazeta mëson ekskluzivisht se 29-vjeçari që ra në prangat e Policisë së Kosovës pasi dyshohet se ka kërcënuar me vrasje dy zyrtarë policorë është Ali Tafolli.
Incidenti ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Suharekë.
Burimet bëjnë të ditur se Policia ishte njoftuar rreth orës 07:20 për një mosmarrëveshje në parkingun “Xoni”.
Sipas burimeve, i dyshuari fillimisht po tentonte ta tërhiqte automjetin në mënyrë të njëanshme nga parkingu, por pasi zyrtarët policorë e njoftuan se duhej t’u përmbahej procedurave ligjore, ai është bërë agresiv dhe ka refuzuar t’i bindet urdhrave.
Për shkak të sjelljes së tij, policët e shoqëruan në Stacionin Policor në Suharekë, ku, sipas burimeve, ai vazhdoi t’i kanoste dy zyrtarët policorë duke u thënë se do t’i vriste.
Gjatë testimit, i dyshuari rezultoi nën ndikimin e alkoolit me 0.94 promil.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Tafolli është mbajtur për gjashtë orë në Stacionin Policor, ndërsa pas intervistimit pritet të merren vendimet lidhur me procedurat e mëtejshme penale.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.








