Kuzhinieri i famshëm me rrënjë shqiptare, Rene Rexhepi, shefi i restorantit “Noma” në Kopenhagë të Danimarkës – një nga restorantet më të vlerësuara në botë – ka dhënë dorëheqje pas akuzave për abuzim në vendin e punës.
Rexhepi e njoftoi largimin përmes rrjeteve sociale.
“Pas më shumë se dy dekadash duke ndërtuar dhe udhëhequr këtë restorant, kam vendosur të tërhiqem dhe t’u lë hapësirë drejtuesve tanë të jashtëzakonshëm që ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të ardhshëm”, ka shkruar ai në Instagram.
Ish-punonjës të restorantit e kanë akuzuar Rexhepin për krijimin e një ambienti toksik pune, që sipas raportimeve të mediave përfshinte abuzim verbal dhe fizik.
Restoranti i njohur në Danimarkë po përgatitej për hapjen e një serie darkash me çmim prej 1500 dollarësh për person në Los Angeles. Por disa sponsorë u tërhoqën pas akuzave për abuzim dhe protestave të zhvilluara jashtë lokacionit të përkohshëm të restorantit në SHBA.
“Një kërkim falje nuk është e mjaftueshme, unë marr përgjegjësi për veprimet e mia”, ka shkruar tutje ai.
Rexhepi shtoi se ekipi i “Nomas” është më i fortë se kurrë dhe se restoranti do të vazhdojë aktivitetin edhe pa praninë e tij në Los Angeles.
Shefi i kuzhinës gjithashtu dha dorëheqje nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD, të cilën e kishte themeluar në vitin 2011 për të ndihmuar personat që hyjnë në industrinë e restoranteve.
Një artikull i fundit i publikuar nga The New York Times citon dhjetëra ish-punonjës që e akuzojnë Rexhepin për krijimin e një kulture abuzive në kuzhinë, me kërcënime verbale dhe keqtrajtim fizik në restorantin që ai themeloi në vitin 2003.
Jason Ignacio White, ish-punonjës i “Nomas”, ka thënë se kishte qenë dëshmitar i abuzimeve gjatë viteve që kishte punuar aty.
“Të jem i sinqertë, mendoj se pasojat e heshtjes janë më të këqija sesa të flasësh dhe të qëndrosh me kolegët kundër dhunës”, u shpreh ai.
Pak ditë më vonë, Rexhepi reagoi ndaj akuzave në rrjetet sociale duke kërkuar falje dhe duke pranuar se në disa raste kishte bërtitur ndaj punonjësve dhe i kishte shtyrë ata, veprime që i cilësoi si të papranueshme. Ai tregoi gjithashtu se kishte ndjekur terapi për të menaxhuar më mirë zemërimin.
Ndërkohë, protesta u mbajtën jashtë lokacionit të përkohshëm të “Nomas” në lagjen “Silver Lake” të Los Angelesit, ku aktivistët e të drejtave të punëtorëve kërkuan dorëheqjen e tij.
“Askush nuk dëshiron të hajë në një ambient abuzimi”, ka thënë Saru Jayaraman nga organizata “One Fair Wage”.
“Noma” publikoi ofertën për një seri 16-javore të darkave në qytetin amerikan. Të gjitha rezervimet u shitën brenda pak minutash. Kjo seri ishte planifikuar të niste më 11 mars (dje).









