Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar deklaratën e përbashkët “Jo në emrin tim” dhe “Drejtësi për UÇK-në dhe mbrojtje e historisë tonë”.
Deklarata, e cila lidhet me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është miratuar me 45 vota për, ndërsa nuk pati vota kundër apo abstenime.
Në deklaratë, Kuvendi Komunal shpreh shqetësimin lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“UÇK nuk mund të ndahet nga historia e Kosovës, ajo është pjesa e saj më e lavdishme”, thuhet në deklaratën e miratuar.
Gjatë fjalës së saj, nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, tha se qytetarët duhet të jenë të bashkuar për UÇK-në.
Miratimi i kësaj deklarate vjen në një kohë kur në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës janë zhvilluar protesta me moton “Jo në emrin tim” lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara.








