Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj, ka dhënë detaje për procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, ku pritet të kërkohet shkarkimi i kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.
Manaj ka bërë të ditur se procesi i verifikimit është drejt përfundimit, ndërsa ka sqaruar se data e mbajtjes së Kuvendit do të caktohet nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në bazë të ecurisë së këtij procesi.
“Komisioni e ka kry punën më të madhe të verifikimeve, kanë mbetur vetëm disa delegatë që s’janë lajmëru, që ka me përfundu edhe ajo pjesë, dhe pastaj do të caktohet data e Kuvendit”, ka deklaruar Manaj.
I pyetur se kur mund të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, Manaj ka thënë se vendimi i takon kryetarit të partisë.
“Është vendim i kryetarit të LDK-së në bazë të procesit që përfundohet. Verifikimi është drejtë fundit”, ka thënë ai.
Sipas deklaratave të mëhershme, Shkëmb Manaj kishte bërë të ditur se Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet para datës 7 gusht.








