Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot seancën e 38-të konstituive, e cila përfundoi pa arritur një vendim për anëtarët e Komisionit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. Seanca u karakterizua nga debate të ashpra dhe mospajtime mes deputetëve të ish-opozitës dhe kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
Në një komunikatë zyrtare, Kuvendi njoftoi se “kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë”.
Megjithatë, për këtë kërkesë pati kundërshtime nga deputetët Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj, të cilat argumentuan se “nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari ka vijuar sot punimet seanca konstituive e Kuvendit.”
Kryesuesi Dehari, ndërkaq, “rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati”, duke ndërprerë fjalën e deputetëve kundërshtarë.
Më pas, përbërja e komisionit u hodh në votim, por me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi paralajmëroi se seanca do të vazhdojë të martën, më 1 korrik, në orën 11:00.
Kjo seancë konfirmon tensionet dhe ndarjet e thella në Kuvend për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe proceset parlamentare që ndjekin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.