spot_img
Saturday, December 6, 2025
spot_img

Kush ishin dy dashnorët sekretë të Margaret Theçër, “Zonjës së Hekurt” të Britanisë së Madhe

Një biografi e paautorizuar, zbulon dy lidhje jashtëmartesore të kryeministres më jetëgjatë të Mbretërisë së Bashkuar…

Margaret Theçër, “Zonja e Hekurt” që udhëhoqi Mbretërinë e Bashkuar si kryeministre nga 4 maji i vitit 1979 deri më 28 nëntor 1990, dyshohet se pati dy lidhje jashtëmartesore ndërsa ishte e martuar me bashkëshortin e saj, Sër Denis Theçër.

Kjo zbulohet në një libër të ri të sapo publikuar në Mbretërinë e Bashkuar, The Incidental Feminist (Feministja e rastësishme), me autore gazetaren Tina Goduen. Në librin i botuar enkas me rastin e 100-vjetorit të lindjes së ish-kryeministres, Goduen pretendon se e para nga dy lidhjet jashtëmartesore ndodhi gjatë viteve të para të Margaret si deputete, ndërsa e dyta ishte me një koleg në qeveri.

Goduen, theksoi gjatë një panairi letrar të kohëve të fundit në Çeltenhem të Glauçestershajërit, se i zbuloi lidhjet sekrete përmes burimeve shumë të besueshme, përfshirë romancierin dhe ish-ministrin e Partisë Konservatore Xhonathan Eitken.

Emrat e të dyve janë njohur për publikun. Një nga dy burrat që ia doli të joshte Margaret Theçër, të luajtur nga Meril Strip në filmin “Zonja e Hekurt” dhe Xhillian Anderson në filmin “Kurora”, ishte Sër Hamfri Etkins, një deputet i Speltorn me të cilin Theçer dyshohet se pati një lidhje mjaft të gjatë.

Sër Hamfri Etkins, që vdiq në vitin 1996, ishte një burrë simpatik që shërbeu si Sekretar Shteti për Irlandën e Veriut nën qeverinë e “Zonjës së Hekurt” midis viteve 1979-1981. Mbretëresha Elizabet, i kishte dhënë gjithashtu një titull fisniku në vitin 1987, duke e bërë atë Baronin e Kolnbrukut.

Ish-ministri Xhonathan Eitken, tregon sot se zërat rreth asaj lidhjeje të bujshme qarkullonin në qarqet politike që në atë kohë, sepse shumë njerëz mendonin se Hamfri Etkins nuk ishte në lartësinë e detyrave që ajo i besoi, dhe i vetmi shpjegim që të gjithë ofruan ishte se Theçër ishte e magjepsur nga pamja e tij fizike.

Sipas Eitken, kjo teori është sot më e fortë se atëherë. Sipas burimeve të tjera me të cilat bisedoi Tina Goduen, miku tjetër “i veçantë” i kryeministres britanike ishte Lordi Timoti Bell, menaxheri i saj i marrëdhënieve me publikun, i cili ndërroi jetë në vitin 2019.

Ai ishte gjithashtu shumë i pashëm në rininë e tij, por mbi të gjitha, një burrë me një mendje sa gjeniale aq edhe djallëzore, aq sa edhe sot thuhet se ishte ai që e “ndërtoi” imazhin publik të Theçërit, dhe quhet ende sot si “babai themelues i lajmeve të rreme”.

Disa dëshmitarë thonë se kishin vënë re gjeste intime midis tyre, që ndodhnin vetëm kur kishte një afërsi të madhe fizike, siç është vendosja e dorës së tij në gjurin e saj nën tavolinë, gjatë darkave gala.

Edhe Lordi Mur, autori i biografisë zyrtare të autorizuar të Margaret Theçër, e pranoi se kishte dëgjuar thashetheme mbi lidhjet e ish-kryeministres me Etkins, por nuk gjeti kurrë prova përfundimtare. Ndërkohë, ai e cilësoi “jashtëzakonisht të pamundur”, hipotezën e lidhjes së fshehtë midis Margaret dhe Lordit Bell.

Këto mund të duken zbulime në dukje të vogla, por nëse janë të vërteta, e rishkruajnë imazhin e gruas së ftohtë dhe të ndershme që lidhet ende me kryeministrin më jetëgjatë të Partisë Konservatore që nga fundi i shekullit XIX-të.

Në fakt, gjithmonë është menduar se ajo nuk tërhiqej nga asnjë burri tjetër përveç bashkëshortit të saj, Denis, të cilin e quante “filli udhërrëfyes i jetës sime”, dhe me të cilin kishte dy fëmijë, Mark dhe Kerol.

Po ashtu, është fakt që asnjëri prej tyre nuk shkaktoi kurrë ndonjë skandal në dekadat që kaluan në qendër të vëmendjes së publikut, dhe as gjatë martesës së tyre, e cila zgjati më shumë se 50 vjet. Gjithsesi, libri më i fundit i Tina Goduen, rrëfen edhe për “miqësinë e pazakontë” që Denis Theçër kishte me modelen dhe showgirl-in Mendi Rajs-Dejvis.

Kjo e fundit u bë e famshme për përfshirjen e saj në skandalin seksual të vitit 1963, që i dha fund karrierës së disa politikanëve, dhe që përfshiu edhe vetë Princin Filip, bashkëshortin e Mbretëreshës Elisabetës, të cilin disa pretendonin se e njohën në një foto të realizuar në një festë të dyshimtë.

Pra slogani ”Nuk ka seks, jemi anglezë!”, njëherazi titulli i një komedie të famshme të vitit 1971, nuk ka bindur kurrë askënd.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit