Presidenti Donald Trump shpalli të hënën se kishte shkarkuar guvernatoren e Rezervës Federale, Lisa Cook, duke e akuzuar për mashtrim hipotekar, një pretendim ende pa prova të publikuara. Nëse vendimi i tij do të qëndrojë, kjo do të shënonte herën e parë në historinë amerikane që një guvernatore e Fed-it shkarkohet nga detyra. Avokatët e Cook kanë paralajmëruar padi kundër administratës, duke e dërguar çështjen në duart e gjykatave.
Lisa Cook u emërua në vitin 2022 nga presidenti Joe Biden dhe hyri në histori si gruaja e parë me ngjyrë që shërbeu në Bordin e Guvernatorëve të Fed-it. Mandati i saj ishte i parashikuar të zgjaste deri në janar 2038.
Para emërimit në bankën qendrore, Cook kishte një karrierë akademike të gjatë: për gati dy dekada ishte profesore ekonomie dhe marrëdhëniesh ndërkombëtare në Michigan State University. Fokusi i saj kërkimor përfshinte pabarazitë racore, historinë e institucioneve financiare, krizat e tregjeve dhe inovacionin.
Në të kaluarën, ajo ka shërbyer si ekonomiste e lartë në Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë të presidentit Barack Obama.
Një rrugëtim me sfida politike
Emërimi i saj u bë një betejë politike e ashpër në Senat. Gjatë seancave të konfirmimit, republikanët vunë në dyshim kualifikimet e saj, duke e cilësuar si “të papërshtatshme”. Megjithatë, ajo u konfirmua me votën vendimtare të atëhershmes nënpresidente Kamala Harris.
Si guvernatore e Fed-it, Cook ka qenë shpesh një zë aktiv në debatet mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në ekonomi dhe është rreshtuar me kryetarin e Fed-it, Jerome Powell, në vendime të rëndësishme politike, përfshirë rritjen agresive të normave të interesit në vitin 2022.
Vetëm më 6 gusht, në një diskutim të organizuar nga Fed-i i Bostonit, ajo paralajmëroi për dobësimin e rritjes së vendeve të punës dhe sinjalizoi se tregu i punës mund të jetë në një pikë kthese.
Biografia dhe arritjet akademike
Cook lindi në 1964 në shtetin e Xhorxhias, në një familje të angazhuar në lëvizjen për të drejtat civile. Ishte studentja e parë e Spelman College në Atlanta që fitoi bursën prestigjioze Marshall, e cila i dha mundësinë të studionte në Universitetin e Oksfordit. Përfundoi doktoraturën në ekonomi në University of California, Berkeley. Ka shkruar dhe publikuar gjerësisht për pabarazitë racore dhe sfidat strukturore në ekonominë amerikane.
Në vitin 2019, bashkë me aktivisten Anna Gifty Opoku-Agyeman, botoi një artikull në New York Times, ku denonconte mungesën e mbështetjes për gratë, veçanërisht gratë me ngjyrë, në profesionin e ekonomistit: “Ekonomia nuk është një profesion mikpritës për gratë, dhe është edhe më armiqësore për gratë me ngjyrë.”
Cook është mbesa e Samuel DuBois Cook, shkencëtar politik i njohur dhe afro-amerikani i parë që u bë profesor në Duke University. Ai ishte gjithashtu shok klase i Martin Luther King Jr., duke e lidhur familjen Cook ngushtë me historinë e lëvizjes për të drejtat civile në SHBA. /Përshtatur nga “CNN”










