Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit që nga viti 1989, ndodhet sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas sulmeve të fundit të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Sipas raportimeve, ai mund të jetë transferuar në një bunker nëntokësor, ndoshta në zonën e Levizanit, në verilindje të Teheranit.
“Nuk është në Teheran dhe ndodhet në një vend të sigurt”, ka deklaruar një zyrtar iranian për agjencinë Reuters. Sipas burimeve, në strehë mund të ndodhen edhe anëtarë të familjes së tij. Mbetet e paqartë vendndodhja e djalit të tij të dytë, Mojtaba Khamenei, i cili përmendet prej vitesh si pasardhës i mundshëm.
Pas përshkallëzimit të tensioneve dhe asaj që është cilësuar si “lufta 12-ditore” disa muaj më parë, Khamenei përballet sërish me një operacion të përbashkët amerikano-izraelit. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se objektivi i operacionit është ndalimi i Iranit nga pajisja me armë bërthamore dhe goditja e kapaciteteve të tij ushtarake.
Në deklaratat publike nuk përmendet drejtpërdrejt eliminimi i udhëheqësit suprem, megjithatë analistët vërejnë se situata ka shtuar masat e sigurisë rreth tij. Pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, mbrojtja e Khameneit është forcuar ndjeshëm dhe i është besuar një njësie speciale të Gardës Revolucionare Islamike, e njohur si “Vali Amr Protection Corps”. Sipas burimeve të cituara nga media ndërkombëtare, ekziston shqetësim për infiltrime të mundshme në rrethin e tij të ngushtë.
Nga president në udhëheqës suprem
Khamenei nuk ka dalë jashtë Iranit që nga viti 1989, kur mori drejtimin e Republikës Islamike pas vdekjes së themeluesit të saj, Ruhollah Khomeini. Emërimi i tij u konsiderua surprizë nga disa analistë, pasi ai nuk shihej si figura më e spikatur e revolucionit islamik.
Ai kishte mbajtur poste të rëndësishme, përfshirë atë të zëvendësministrit të Mbrojtjes, dhe kishte shërbyer si president i Iranit për dy mandate duke nisur nga viti 1981. Pas një ndryshimi kushtetues në vitin 1989, ai u shpall udhëheqës suprem. Në atë kohë mbante gradën fetare “hojatoleslam”, një nivel më i ulët se ajatollah, megjithëse më pas mori titullin e plotë.
Megjithëse nuk konsiderohet se ka pasur karizmën e Khomeinit, Khamenei ka arritur të konsolidojë pushtetin përmes aleancës me krahun konservator dhe Gardën Revolucionare. Sipas analistëve, gjatë viteve ai ka zgjeruar ndikimin e kësaj force në ekonomi dhe politikë, duke e shndërruar atë në një shtyllë kyçe të regjimit.
Kritikët e përshkruajnë sistemin e ndërtuar nën drejtimin e tij si autoritar dhe represiv. Regjimi iranian është akuzuar për shtypje të ashpër të protestave, përfshirë Lëvizjen e Gjelbër në vitin 2009 dhe protestat “Grua, Jetë, Liri” në vitin 2023, gjatë të cilave u raportuan qindra viktima dhe mijëra arrestime.
Me origjinë azere, Khamenei në rini shkruante poezi dhe njihej për interesin ndaj letërsisë. Është i martuar me Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh dhe ka gjashtë fëmijë – katër djem dhe dy vajza. Ai përshkruhet si me stil jetese të thjeshtë dhe asketik. Në vitin 1981 i mbijetoi një atentati që i la një krah pjesërisht të paralizuar, ndërsa në vitin 2014 iu nënshtrua një trajtimi për kancer.
Çfarë ndodh pas Khameneit?
Nëse situata do të përshkallëzohej deri në eliminimin e tij një skenar që aktualisht mbetet hipotetik Irani mund të përballej me zhvillime të paparashikueshme. Emri i Mojtaba Khameneit përmendet shpesh si pasardhës i mundshëm, por analistët paralajmërojnë për rrezikun e përplasjeve të brendshme për pushtet.
Nuk përjashtohen skenarë si një grusht shteti ushtarak, përplasje të brendshme apo edhe një lëvizje e re popullore. Në debatet publike është përmendur edhe emri i princit në mërgim, Reza Pahlavi, i cili ka deklaruar se është “në dispozicion të popullit iranian”.
Zhvillimet e ardhshme në Iran pritet të kenë ndikim të gjerë rajonal, për shkak të rolit dhe influencës që Teherani ushtron në vende si Siria, Libani, Iraku dhe Jemeni.









