Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” (Our Lady of Shkodra), në Hartsdale të New York-ut, ku mori pjesë në meshën e së dielës.
Mesha u kremtua nga Eminenca e Tij, Kardinali shqiptar Ernest Simoni Troshani, së bashku me Dom Pjetër Popajn, në praninë e besimtarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në fjalën pas meshës, kryeministri Kurti theksoi se në moshën 97-vjeçare, vetëm pak javë para ditëlindjes së tij të 98-të, Kardinali Ernest Simoni vazhdon të përcjellë me të njëjtën forcë porosinë e besimit, shpresës dhe dashurisë për njeriun. Ndërsa shtoi se mesha ishte prekëse, me një porosi për mirësinë, mirëkuptimin dhe respektin ndaj njëri-tjetrit.
“Është kënaqësi dhe nder i veçantë që ndodhem sot bashkë me juve dhe më lejoni që fillimisht ta përshëndes Eminencën e Tij, Kardinalin Ernest Simoni Troshani, i cili me jetën e tij që është vepër na frymëzon që të gjithë neve edhe si qytetarë republike, edhe shqiptarë ngado që jemi, por edhe si zyrtar shteti”, tha kryeministri Kurti.
Famullia “Zoja e Shkodrës”, e themeluar në vitin 1989, është ndër institucionet e rëndësishme fetare dhe kombëtare të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kisha në Hartsdale u shugurua në vitin 1999 dhe ndër vite është bërë një vatër e rëndësishme e jetës fetare, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve në New York.
Përveç misionit të saj fetar, ajo vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj të diasporës.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e Dom Pjetër Popajt, Kardinal Ernest Simonit dhe të gjithë pjesëtarëve të komunitetit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, si dhe për kontributin shumëvjeçar të komunitetit shqiptaro-amerikan në ruajtjen e lidhjeve me atdheun dhe në mbështetjen e Kosovës.








