Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) që, brenda 54 orëve, t’i dorëzojnë raportet për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë, duke identifikuar çdo dështim të mundshëm në hallkat e zinxhirit institucional.
Kurti është deklaruar sot nga Klinika e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku është pyetur lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt. Gjatë deklarimit, gazetarja e ka pyetur: “Kush me na mbrojt neve?”
Kryeministri fillimisht u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimës, duke theksuar se vrasja ka shkaktuar tronditje të madhe, jo vetëm te familja dhe farefisi i saj, por edhe te qytetarët e vendit, të cilët kërkojnë drejtësi.
“Së pari, më lejoni që edhe një herë t’i shpreh ngushëllime familjes Zekaj për vdekjen e anëtares së kësaj familjeje, vrasja e së cilës ka shkaktuar tronditje të jashtëzakonshme te familja, farefisi, por edhe te të gjithë qytetarët e vendit, të cilët bashkëndjejnë me kërkesën për drejtësi”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se reforma e sistemit të drejtësisë nuk është më vetëm e rëndësishme, por është bërë urgjente. Sipas tij, raportet e Bashkimit Evropian e kanë kritikuar vazhdimisht Kosovën për funksionimin e sistemit të drejtësisë, dhe këto kritika kanë vazhduar për më shumë se një dekadë.
“Natyrisht që jemi në fazat kur reforma e sistemit të drejtësisë nuk është vetëm e rëndësishme, por edhe urgjente. Raportet për vendet e BE-së më së shumti na kanë kritikuar për çështjen e drejtësisë, nga viti në vit.
Kritikat më të mëdha nga BE-ja i kemi marrë jo vjet, jo parvjet, por qe më shumë se 10 vjet për çështjen e sistemit të drejtësisë. Neve na duhet të drejtojmë drejtësinë. Të nderuar gazetarë, drejtësinë nuk e kemi të drejtë, për të mos thënë e kemi të shtrembër. Kemi nevojë ta drejtojmë drejtësinë”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë theksoi se përgjegjësitë duhet të ndahen qartë ndërmjet institucioneve të drejtësisë, duke nënvizuar se hetimet duhet t’i kryejnë hetuesit, aktakuzat t’i ngritin prokurorët dhe vendimet t’i marrin gjykatësit.
Ai bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë edhe 54 orë kohë për t’i dorëzuar raportet, me qëllim që të ndriçohen plotësisht rrethanat e rastit dhe të identifikohen dështimet e mundshme të secilës hallkë të zinxhirit institucional.
“Hetim hetuesve, aktakuza prokurorëve e gjykim gjykatësve. E këtë, nëse e kemi konsideruar deri më tani të rëndësishme, tani duhet ta konsiderojmë urgjente.
Në këtë frymë, MD-ja dhe MPB-ja i kanë edhe 54 orë që të më sjellin raportin për ta ndriçuar këtë rast deri në fund, edhe ku kanë dështuar secila prej hallkave të zinxhirit institucional, por edhe çka po ndodh me rastet e ngjashme, ku gratë e caktuara që janë viktima të dhunës vazhdojnë të jenë nën rrezikun e kërcënuesve të vjetër e të rinj”, deklaroi Kurti.








