Sot Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, që është e para pas fitores së partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në këtë mbledhje, kryeministri i Kosovës dhe kryetari i VV-së Albin Kurti, ka falënderuar anëtarët e Këshillit për angazhimin gjatë fushatës zgjedhore.
“Fushata zgjedhore e VETËVENDOSJE!-s për 28 dhjetorin 2025 ishte e pa parë jo vetëm në Kosovë e në kombin shqiptar por edhe në rajon e edhe më gjerë. Ajo fitore erdhi nga një fushatë e cila nuk ishte padyshim vetëm një garë politike, ishte një lëvizje e gjallë, fort vitale, e cila përfshiu mijëra vullnetarë, aktivistë dhe simpatizantë në të gjithë Kosovën, nga viset e banuara me shqiptar por edhe nga mërgata jonë e dashur. Energjia, përkushtimi dhe durimi i tyre ishin forca jonë më e madhe. Pa këtë angazhim, asgjë nuk do të ishte e mundur, me atë angazhim gjithçka na u mundësua”, tha kryeministri Kurti.
Përmes një komunikate për media, VV ka cituar Kurtin që sipas tyre ka theksuar se ata nuk i kanë kërkuar zgjedhjet, por kur kur ato u bënë të pashmangshme populli ka folur qartë.
“Ai nuk deshi kthim pas, por vazhdim përpara. Dhe këtë e shprehu me një fitore të madhe, me 51.1% të votave, duke e kthyer një situatë të padëshiruar bllokimi në një mandat të fuqishëm për progres”, ka shkruar VV duka cituar Kurtin.
Ai ka përmendur edhe premtimet e fushatës, 1 miliard euro në ushtri, 1 miliard euro në prodhim dhe 1 miliard euro çdo vit në investime kapital, projekte të mëdha dhe jetike për Kosovën.
“Kryeministri po ashtu në fjalën e tij foli edhe për temën e Presidentit me ç’rast ai njoftoi për perpjekjet maksimale që po bën në këtë çeshtje dhe njëkohësisht evitimin e zgjedhjeve të reja. Në këtë mbledhje padyshim që u diskutua edhe për çështjet organizative, zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes të cilat do të mbahen këtë vit. Angazhimi është i yni dhe i përbashkët. Kontributi është për popull e shtet, për komb e për shoqëri. Përgëzime edhe një herë për punën dhe rezultatin. Urime edhe një herë për fitoren dhe sukseset! Faleminderit! Përzemërshisht, të gjithëve!”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Postimi i plotë:









