Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë homazhe me rastin e 29-vjetorit të rënies heroike të heronjve Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha.
Kurti foli për kontributin e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Ai tha se në çdo janar i përkujtojnë ata, në mënyrë që përkujtohet çmimi i lartë që është paguar për shtetin.
“Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu siç nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti”.
“Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata në mënyrë që t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi, se do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit, gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës. Lavdi Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar”, tha Kurti.








