Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar si prurje të re në këtë subjekt politik aktivisten për të drejtat e grave, Adelina Tërshanin.
Kurti prezantimin e ka bërë me anë të një postimi në ‘Facebook’, ku ka theksuar se Tërshani do të garojë për deputete në listën zgjedhore të VV’së.
“Me kënaqësi njoftojmë bashkimin e Adelina Tërshanit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, e cila do të jetë edhe kandidate për deputete në legjislaturën e ardhshme. Si aktiviste e njohur feministe dhe autore, Adelina sjell një përvojë mbi dhjetëvjeçare në mbrojtje të të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara, duke i bashkuar kauzat sociale me punën konkrete në terren dhe hulumtimin e politikave publike.
Me formim akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, studime të kryera në Itali, ajo përfaqëson një zë intelektual dhe kritik që e pasuron programin tonë për drejtësi shoqërore. Përmes angazhimit të saj në institucione dhe artit si formë rezistence, Adelina do të vazhdojë betejën për barazi edhe brenda Kuvendit të Kosovës“, ka shkruar Kurti.











