Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi – Shemi, duke e cilësuar atë si një zë që u bë pjesë e identitetit dhe kujtesës kolektive shqiptare.
Në një postim përkujtimor, Kurti theksoi se Shemi, si vokalist i grupit “Ilirët”, i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës shqiptare dhe krijoi një ndjenjë bashkimi për shqiptarët, kudo që ndodheshin. Ai veçoi interpretimin e këngës “Xhamadani vija-vija”, e cila, sipas tij, u shndërrua në simbol identiteti dhe bashkimi kombëtar.
“Kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë”, shkroi Kurti, duke shtuar se zëra të tillë lindin rrallë, pasi nuk janë vetëm art, por edhe gjuhë e përbashkët e emocioneve shpirtërore.
Kryeministri shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, miqtë, bashkëpunëtorët dhe publikun e gjerë që e deshi dhe e vlerësoi veprën e tij, duke theksuar se humbja e një artisti të tillë është pikëllim mbarëkombëtar.
Në fund, Kurti u shpreh se kujtimi dhe mirënjohja për Shemsi Krasniqin do të mbeten të gjalla sa herë që këngët e tij do të dëgjohen, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu”.








