Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti tha se seanca ku do të votohet qeveria e re do të mbahet, më së voni, më 26 tetor.
Kurti tha se gjatë ditëve të kësaj jave do të fillojë negociatat për shumicën e re në Kuvendin e Kosovës, e cila do të votojë kabinetin e Qeverisë Kurti 3.
Sipas Kurtit, dita e fundit kur do të ndodhë formimi i qeverisë së re është 26 tetori, që përkon me përfundimin e afatit 15 ditor për krijimin e shumicës së re nga partia fituese e zgjedhjeve.
“Sa i përket qeverisë qëndrore, dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar është 26 tetori. Këto ditë jemi të koncentruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse dhe hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat për qeverinë qëndrore sepse Kosovës i duhet një mandat i ri i qeverisë sonë”, tha Kurti.
“Por, gjithashtu edhe unë si kryeministër në detyrë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katër vjeçar, por duhet të kemi një mandat të rregullt i cili do të fillojë porsa ne do ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të Qeverisë Kurti 3”, vazhdoi Kurti.
I pyetur përse e përmendi datën 26 tetor si “seanca e fundit për formimin e qeverisë”, Kurti tha: “Unë vetëm tregova se kur është afati i fundit, kjo s’do të thotë se seanca për qeverinë e re është 26 tetori”, tha ai.
Kryetari i Vetëvendosjes tha se komunikimet që do të zhvillohen do ta përcaktojnë shumicën e re në Kuvendin e Republikës që do ta votojë qeverinë e re.









