Kandidati i Vetëvendosjes shfrytëzon inaugurimin e urës së re për këmbësorë për të kritikuar partitë e tjera gjatë hapjes së fushatës zgjedhore.
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, ka shfrytëzuar inaugurimin e urës së re për këmbësorë në Mitrovicë për të adresuar kritika ndaj partive të tjera politike.
Duke e cilësuar urën si simbol të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës, Kurti tha se ndërtimi i saj përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lëvizjes së lirë dhe afrimit mes qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër.
“Urime urën e re. Pas asaj ure për automjete, e cila ka lehtësuar qarkullimin, tash e kemi edhe një urë tjetër të bukur për këmbësorë, një hap më shumë drejt lëvizjes së lirë dhe bashkëjetesës si asnjëherë më parë,” deklaroi Kurti.
Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është forcë politike që ndërton ura bashkëpunimi, duke nënvizuar dallimin me partitë e tjera. “Ne që vendosim vet, vendosim ura. Ura bashkëpunimi me të tjerët. Ata për të cilët vendosin të tjerët nuk arrijnë as t’i kalojnë urat që ekzistojnë, e lë më të vendosin të reja,” u shpreh ai.
Sipas Kurtit, urat e ndërtuara nuk janë vetëm infrastrukturore, por kanë edhe dimension shoqëror, ekonomik dhe të sigurisë. “Këto ura nuk janë vetëm ura fizike, por edhe ura për siguri dhe begati. Begati sepse lehtësohet qarkullimi i mallrave dhe krijohen kushte për zhvillim ekonomik, dhe siguri sepse qytetarët lëvizin lirshëm në të dyja anët e Ibrit,” tha Kurti.
Inaugurimi i urës u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të para të fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, me theks në zhvillimin infrastrukturor, integrimin qytetar dhe lëvizjen e lirë.






