Kurti e Gërvalla nesër në Institutin e Mjekësisë Ligjore, aty ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, pritet që të mërkurën të vizitojnë Institutin e Mjekësisë Ligjore.


Vizita vjen në një institucion që prej vitesh është në qendër të vëmendjes për rastin e Astrit Deharit, veçanërisht pas zhdukjes së mostrave të tij nga Laboratori i Toksikologjisë.

Mostrat e Deharit ishin raportuar të zhdukura në dhjetor të vitit 2022. Në atë kohë, ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se ishte njoftuar nga drejtoresha e Laboratorit Toksikologjik se mostrat e rastit të Deharit nuk ndodheshin në vendin ku duhej të ishin.


Për rastin ishin suspenduar katër zyrtarë të IML-së, në mesin e tyre edhe drejtoresha e atëhershme e laboratorit, Flutura Goga.

Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, në shkurt të vitit 2023, ata ishin kthyer në punë pas vendimeve të komisioneve administrative të IML-së.


Sipas deklarimeve të Haxhiut, mungesa e mostrave ishte vërejtur gjatë procesit të bartjes së tyre nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj. Ajo kishte thënë se mostrat ishin të koduara dhe se qasja në to ishte e kufizuar për personat e autorizuar.


Në atë kohë, Haxhiu kishte bërë të ditur se nuk dihej saktësisht se kur ishin zhdukur mostrat.

Sipas saj, kontrolli i fundit i tyre ishte bërë në tetor të vitit 2021.

“Që nga tetori i vitit 2021, nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat aty”, kishte deklaruar Haxhiu, duke sqaruar se mungesa ishte vërejtur vetëm gjatë bartjes së tyre në frigoriferët e rinj.


Ajo kishte ngritur gjithashtu çështjen e kamerave të sigurisë, por kishte thënë se pamjet, sipas informacioneve të asaj kohe, ruheshin vetëm për një muaj, duke e bërë të pamundur verifikimin e një periudhe më të gjatë.

Në mars të vitit 2023, u raportua se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit ishte gjetur.


Rasti i Deharit ka qenë prej vitesh një prej temave më të ndjeshme politike për Lëvizjen Vetëvendosje. Para ardhjes në pushtet, Albin Kurti dhe VV-ja e kishin ngritur vazhdimisht këtë çështje, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së Deharit dhe vendosjen e drejtësisë.

Megjithatë, edhe gjatë qeverisjes së Kurtit, rasti ka vazhduar të mbetet i pazbardhur plotësisht dhe ka qenë objekt kritikash nga opozita, gazetarë dhe analistë, të cilët kanë rikujtuar zotimet e bëra nga Vetëvendosje sa ishte në opozitë.

Kurti ishte deklaruar për Deharin për herë të fundit në nëntor të vitit 2025, në përvjetorin e nëntë të vdekjes së tij.

Ai, së bashku me përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit dhe Vetëvendosjes, kishte vizituar familjen Dehari dhe kishte bërë homazhe te varri i Astritit.

“Ndërsa sot, Astriti mbetet simbol i përpjekjes për një shoqëri të drejtë e të lirë”, kishte shkruar Kurti.

Vizita e Kurtit dhe Gërvallës në IML rikthen vëmendjen te zhdukja e mostrave të Astrit Deharit dhe te përgjegjësia për këtë rast, i cili ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit