Shkruan: Emanuel Demaj
Në Prishtinë, qytetin ku dimri të hyn në kockë e ngrohja shpesh të mbetet ëndërr, Termokosi vendosi të bëjë një “inovacion historik”: të investojë para për marketing. Po, pikërisht një kompani që çdo vit na bind vetvetiu me faturat e larta dhe radiatorët e ftohtë, paska pasur nevojë të na reklamohet.
Dhe reklama për çka? Për avullin që del prej gypave të çara? Për “ngrohjen” që e sjell me vonesë? Apo për fatin e madh që e kemi me një kompani publike që ngroh më së shumti… debatet politike?
Skandali shpërtheu kur u zbulua se mijëra euro janë shpërndarë për marketing në media të caktuara, të afërta me politikën. Ato mediat e njëjtat që dinë të lavdërojnë edhe çatinë që pikon, vetëm e vetëm nëse ka kush t’ua japë ndonjë reklamë.
Por në këtë rast dilema është epike: çfarë ka Termokosi për të reklamuar?
A ka ndonjë slogan të ri?
“Termokosi, prit, ndoshta nesër ngrohet!”
“Nxehtësi me porosi sot e paguan, nesër e mendon!”
“Vetëm te ne marketing më i nxehtë se radiatori!”
Misteri mbetet i madh: çka përpiqet të shesë një kompani që nuk shet produkt konkurrues në treg, nuk ka rival, nuk ka nevojë të bindë askënd… por megjithatë derdh para për marketing?
Për kë është marketingu?
Për qytetarët që s’kanë alternativë?
Apo për mediat që duhet ta mbajnë imazhin e shndritshëm të ndonjë menaxhmenti të lodhur?
Ky nuk është më skandal i zakonshëm është komedi publike e paguar me paratë e qytetarëve. Në vend se Termokosi të investojë në rrjetin e ngrohjes, eficiencë, cilësi, apo qoftë edhe një ngrohje të thjeshtë që arrin në kohë, ai investon në… reklama për ta lavdëruar veten.
Në fund del se ngrohja më e fuqishme që Termokosi ka dhënë këtë vit nuk ka qenë në radiatorët e qytetarëve, por në xhepat e mediave mike.
Dhe këtu lind pyetja më satirike e gjithë kësaj historie:
A mos vallë Termokosi po përpiqet me na ngrohë përmes marketingut, se me sistem të ngrohjes s’po ja del dot?






